Hapet bajpasi i Vlorës, aksi i ri panoramik që lehtëson qarkullimin e automjeteve gjatë pikut të sezonit

140

Një tjetër aks i rëndësishëm është hapur sot. Bajpasi i Vlorës, aksi i ri panoramik që lehtëson qarkullimin e automjeteve gjatë pikut të sezonit, është ndërtuar me standardet më të mira dhe parametrat më të lartë të sigurisë.

Rruga lidh autostradën Levan-Vlorë me rrugën nacionale bregdetare Vlorë-Sarandë, duke ndikuar edhe në lehtësimin e fermerëve, për daljen më shpejt në tregje, të prodhimit bujqësor dhe nxitjen e agroturizmit.

Rruga e re me gjatësi 29 km vlerësohet një ndër segmentet me ndikimin më të lartë turistik që do të ndikojë ndjeshëm në lehtësimin e trafikut në qytetin e Vlorës.

Bajpasi nis nga rrethrrotullimi në fund të autostradës Levan-Vlorë. Rruga anashkalon Kaninën në pjesën perëndimore mbi Vlorë, në një nivel rreth 300 m nën kështjellë, nga ku ofron pamje spektakolare përgjatë gjirit të Vlorës.

Në çdo 1.5 kilometër të kësaj rruge është parashikuar vendpushimi për automjetet.

Me përfundimin e disa projekteve të rëndësishme infrastrukturore, e gjithë zona do të kthehet në një superdestinacion turistik, me infrastrukturë të nivelit evropian.