Hapet sërish thirrja për panele diellore, subvencionim 70% nga shteti

8
Green energy

Pas thirrjes së parë për instalimin e paneleve diellore për ngrohjen e ujit për 2 mijë konsumatorë familjarë, Agjencia e Eficiencës së Energjisë ju drejtua sërish subjekteve tregtuese të interesuara për ofrimin e shërbimit të shitjes dhe instalimit të paneleve diellore për ngrohjen e ujit.

Në një njoftim zyrtar AEE bëri të ditur se në fazën e dytë do të instalohen sërish 2 mijë panele diellore për konsumatorët familjarë, të cilët do të përzgjidhen për të përfituar nga kjo skemë mbështetëse.

Sipas AEE-së, konsumatorët familjarë që do aplikojnë për përfitim mase mbështetëse do mund të marrin shërbimin vetëm në një nga subjektet e publikuara nga Agjencia e Eficiencës së Energjisë.

Skema për nxitjen e përdorimit të paneleve diellore për ngrohjen e ujit nga konsumatorët familjarë ofron subvencionimin deri në masën 70% të kostos nga Agjencia për Eficiencën e Energjisë. Kjo masë synon reduktimin e konsumit të energjisë elektrike dhe përmirësimi i furnizimit me ujë të ngrohtë si dhe reduktimin e emetimeve të CO2.