Hapet Unaza e Madhe e Tiranës

757

Bashkia e Tiranës hapi sot për automjetet segmentin e Unazës së Madhe që lidh zonën e “Pallatit me Shigjeta” me Farkën, duke zgjidhur problemin e trafikut të makinave që vijnë nga sheshi “Shqiponja” dhe Kombinati në drejtim të qendrës, si dhe të atyre që udhëtojnë drejt juglindjes. Punimet përfunduan në kohë rekord dhe investimi vjen si një premtim i mbajtur për ta hapur atë përpara fillimit të vitit të ri shkollor 2017-2018.

Me një gjatësi prej 2.1 km, segmenti Komuna e Parisit-Shkolla Teknologjike është e kategorisë A2 e përshtatur për zona urbane me rrugë kryesore, rrugë paralele dhe e konceptuar si rrugë shpejtësie me 12 hyrje-dalje të disiplinuara. Për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve dhe për të rritur sigurinë e qytetarëve, janë ndërtuar dhe katër mbikalime automjetesh në disnivel, mbikalime këmbësorësh të pajisura dhe me ashensor për PAK, si dhe në të dy senset e lëvizjes janë ndërtuar trotuarë si dhe korsi biçikletash.

Punimet e kryera me standardet më të mira europiane përfshijnë ndërtimin e plotë të sistemit të ujësjellës-kanalizimeve, vendosjen e sinjalistikës vertikale dhe horizontale, instalimin e plotë të ndriçimit rrugor si dhe shtimin e gjelbërimit.