Hapet Urgjenca e re Polivalente në QSUT

98

Në Spitalin Qendror u hap Urgjenca Polivalente, duke përmbyllur transferimin e shërbimeve në spitalin e ri në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, i cili tashmë është plotësisht funksional, me të gjitha shërbimet për trajtimin e urgjencave dhe sëmundjeve të brendshme, sipas standardeve bashkëkohore.

“Tashmë bëhet funksional i gjithë Spitali Qendror, me integrimin e Urgjencës Polivalente që e kishim lënë në fazën e fundit, hyrjen dhe fillimin e funksionimit të saj. Sepse donim që të gjithë shërbimet e tjera, katërmbëdhjetë shërbimet të ishin të integruara së pari në këtë spital. Me fillimin e punës në shërbimin e urgjencës polivalente, që tashmë i ka hapur dyert dhe po pret e trajton pacientë, ne kemi arritur në 100% të shfrytëzimit të kapaciteteve të këtij spitali”, tha ministrja Manastirliu, gjatë inspektimit të shërbimit të urgjencës në spitalin e ri.

Në bashkëbisedim me mjekët e shërbimit të urgjencës, ministrja Manastirliu foli për riorganizimin e shërbimit dhe përmbylljen e ciklit të ofrimit të shërbimit për qytetarët brenda një strukture spitalore, siç është spitali ultramodern që ka hapur dyert në qendrën më të madhe spitalore në vend.

“Tani ndiqen rregullat e triazhimet sipas kodeve të përcaktuara dhe këtu lehtësia është maksimale sepse janë bokse të përcaktuara, kemi të gjitha aparaturat e shtuara si në kapacitete të tilla, që monitorimi edhe ekzaminimet të bëhen në kohë reale dhe sigurisht më pas rrugëtimi i pacientit brenda strukturës spitalore, i cili do të ndiqet nga ju si mjekë, por edhe nga mjekët e shërbimit të gjithë spitalit qendror që ne e kemi në të njëjtën godinë dhe kjo është një lehtësi e madhe”, tha Manastirliu.

Duke folur për trajtimin e urgjencave kardiake, Manastirliu nënvizoi se, shërbimi i Hemodinamikës në QSUT, në Spitalin Qendror dhe në Spitalin “Shefqet Ndroqi” në koordinim me Urgjencën Kombëtare, do të trajtohen më së miri.

“Që në momentin që një suspekt akut i infarktit të miokardit niset, lajmërohet Urgjenca Kombëtare dhe lajmëroheni dhe ju, kombinimi dhe organizimi me Urgjencën Kombëtare, me Urgjencën Polivalente, e njëjtë edhe me Urgjencën e Senatoriumit tani, që do të hapë edhe shërbimin 24 orë për ditët e hëna edhe deri në drekë çdo ditë, besoj që kjo do ta përmirësojë punën në të gjithë aspektet”, nënvizoi Manastirliu.

Transferimi i shërbimeve drejt spitalit të ri është përmbyllur me transferimin e Shërbimit të Urgjencës Polivalente, e cila do të ofrojë shërbim me standarde bashkëkohore për pacientët. Urgjenca Polivalente në QSUT pret rreth 100 mijë pacientë në vit.

Spitali Qendror, ultramodern, tashmë do të ofrojë kujdes shëndetësor me 14 shërbime mjekësore spitalore të specializuara si kardiologjia, nefrologjia, hematologjia, gastrohepatologjia, mjekësia interne, endokrinologjia, dermatologjia, reumatologjia, alergologjia, urgjenca dhe imazheria me kapacitet 345 shtretër.

Spitali Qendror, i vendosur në funksion 100 % për pacientët dhe stafet mjekësore, është vepra më e madhe infrastrukturore në shëndetësi në 30 vitet e fundit.

/ata.gov.al