‘Heronjtë’ që i përgjigjen natyrës në Lepushë dhe Vermosh (FOTOT)

14

Pas 10 ditësh punë intensive nga grupi i avarisë së Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, Shkodër, është rikthyer energjia elektrike në zonën e Lepushës dhe Vermoshit.

Në datën 24 janar fideri Kelmend i NST Vukpalaj me gjatësi 120 kilometra pësoi avari për shkak të goditjes nga orteku.

Për pasojë u konstatuan thyerje të 7 shtyllave elektrike të tensionit të mesëm dhe mbi 30 traversa TM duke lënë pa energji zonën e Lepushës dhe Vermoshit.

Nisur nga situata e krijuar, OSSH Shkodër, bën të ditur se mori masa duke angazhuar në terren një grup prej 10 punonjësish të cilët punuan gjatë gjithë këtyre ditëve në kushte të vështira për të risjellë energjinë tek të gjithë abonentët e prekur nga defekti.

Si pasojë e motit të keq me reshje intensive të borës dhe orteqet e rëna gjatë atyre ditëve, rruga nga Gropat e Selcës deri në Qafën e Bordolecit ishte bllokuar.

Punonjësit e OSSH Shkodër u detyruan të transportonin në këmbë bazën materiale si traversat e tensionit të mesëm, për riparimin e defektit.

Në zonat ku rruga ishte e lirë, OSSH riparoi defektin brenda pak orëve duke mos lënë asnjë zonë pa furnizim me energji elektrike.

Vetëm mbrëmjen e djeshme, 2 shkurt u bë e mundur riparimi i plotë i defektit dhe fideri Kelmend i NST Vukpalaj u vu në punë me kapacitet të plotë.

Që nga mbrëmja e djeshme të gjitha zonat furnizohen rregullisht me energji, ndonëse rruga nga Gropat e Selcës deri në Qafën e Bordolecit vijon të jetë e bllokuar nga bora e rënë gjatë këtyre ditëve.

Grupet e avarisë së OSSH janë në terren për t’ju përgjigjur çdo situate që mund të krijohet në rrjetin e shpërndarjes.