Smartphone, shpiket ekrani që vetëriparohen

302

Frika më e madhe e atyre që blejnë një smartphone të ri është se mos e thyejnë apo dëmtojnë ekranin, sidomos duke marrë parasysh koston e lartë të zëvendësimit të tij. Por, në të ardhmen, ekranet e telefonave mund të realizohen me një material, i cili mund të rregullohet vetë.

Për këtë zbulim kanë meritë një grup shkencëtarësh amerikanë të departamentit të kimisë në Universitetin e Kalifornisë. Studiuesit kanë krijuar një përbërje transparente, elastike dhe mbi të gjithë e aftë të rregullojë automatikisht të gërvishturat në ekran. Ky përbërës është ideal për të realizuar ekranet e smartphone-ve.
Ideja nuk është një risi absolute. Prej vitesh, kompani të shumta teknologjike, mes të cilave LG, po punojnë për zgjidhje në këtë drejtim.
Në të shkuarën materialet vetëriparuese nuk kishin përçueshmëri, pra nuk mund të aktivizoheshin elektrikisht. Me fjalë të tjera, ishte e pamundur të përdoreshin në smartphone. Ndërsa përbërja e krijuar nga kimistët amerikanë është e tillë.

Rregullohet vetë në 24 orë

Shkencëtarët thonë se përbërja rregullohet vetë duke e lënë “të pushojë” për 24 orë në temperatura ambienti. E realizuar nëpërmjet përdorimit të polimereve të veçantë, substanca vetëriparuese mund të përthyhet dhe sipas shkencëtarëve amerikanë, ajo mund të përdoret jo vetëm në ekranet e smartphone-ve por edhe në pajisje të tjera elektronike dhe mekanike. Studiuesit pohuan se ky material mund të përdoret për të riparuar edhe bateri ose “muskujt” e robotëve.
Ky material ka edhe avantazhe të tjera: është rezistent dhe kushton pak. Në këtë pikë, mbetet të bëjmë veç një pyetje: kur do të dalë në treg? Kërkuesit amerikanë parashikojnë në më pak se tre vjet. Deri atëherë, duhet të bëni ende kujdes të mos thyeni ekranin e telefonit. Një këshillë: Blini një xham mbrojtës ose një kapak për telefonin.