Histori suksesi/ Shqiptarja Greta Bajrami, nominohet për çmimin prestigjioz në SHBA

29

Shqiptarja Greta Bajrami është mes pesë kandidatëve për çmimin Female Roofing Professional nga kompania Beacon në Virginia të SHBA-ve.

Si administratore dhe themeluese e Golden Group Roofing në Westborough, Bajrami është mjaft e njohur në MetroWest.

Në 2017 ajo ka qenë në revistën “Worcester Business Journal” në listën e “40 nën 40 vjeç”. Greta ka emigruar nga Shqipëria kur ka qenë e re dhe ka hyrë një dekadë më parë në tregun e industrisë së mbulimit (çative).

“Ishte një veprim i guximshëm si një grua e re, një nënë e re dhe një emigrante e sapoardhur. Shkurt, rreth 10 vjet më vonë ne u bëmë një ndër kompanitë më të njohura të çative në zonën e MetroWest”, ka rrëfyer Bajrami për MetroWest Daily News.

31-vjeçarja shqiptare tha se nuk e kishte kuptuar që njerëzit po e nominonin.

“Nëse fitoj si gruaja e vitit në këtë industri, shpresoj të lejoj çdo vajzë e djalë të dëgjojë se është koha të heqim stereotipet, stigmat dhe çdo etiketim që vendosin njerëzit, sepse jemi në një kohë ku mund të jemi gjithçka duam. Industria e çative, them gjitmonë më shpëtoi fjalë për fjale jetën time, sepse ishte një industri që më priti krahëhapur”, vijon Greta.

Ideja për të hyrë në këtë industri lindi pasi pa një reklamë ku kërkohej një pozicion pune si përgjegjës i rregullimit të çative dhe shkoi të aplikojë. Punoi shumë në një industri që nuk kishte pasur lidhje më parë.

Greta rrëfen më tej se çdo natë shkonte në shtëpi dhe mësonte gjithnjë e më shumë rreth kësaj industrie derisa të fitonte vendin e saj, sepse ndërtimi është një industri e vështirë për të fituar. “Kam fituar respektin e kolegëve të mi, të ekipit. Nuk kishte rëndësi nëse isha vajza dhe ata burra. Në fund të ditës ne ishim të gjithë çatirregullues kur shihnim projektin”, vijon ajo.

Një kurs sipërmarrje në Vorceseter State University e ndihmoi shumë të arrinte suksesin e saj. Aktualisht Greta punon edhe në Bordin e Drejtorëve të Shkollës, Bordin e Këshillimit të Sipërmarrjes dhe është mentore e studentëve.