Historia e kovaçit të Rrëmbecit që punon hekurin prej 3 dekadash

7

Në zonën e Maliqit gjendet një punues hekuri, i cili quhet Skëndër Kovaçi. Një rastësi e bukur teksa zbulojmë që mbiemri i tij përkon me profesionin që bën.

Prej vitesh ai ushtron këtë profesion të cilin e ruan ende me fanatizëm.

“Ne këtë profesion zanatin e kovaçit që punoj sot e kësaj dite e kemi trashëguar nga gjyshi. Gjyshi ka qenë nga Janina, në Leskovik, me pas në Korçë. Sekonda 47 në atë kohë nuk kishte zanatçinj, dhe marrin gjyshin për zanatçinj, se kishte nevojë për kultivatore, drapinj. Nga babai e morëm e ne, që 12 vjeç”, u shpreh.

Nga puna që bën nuk përfiton shumë të ardhura, por pasioni e shtyn ta bëjë.

“Kjo punë ai që nuk e ka pasion, i duket e vështire, ai që e ka pasion nuk e ka të vështirë. Çdo zanat ka vështirësitë e saja, por ne me një fjalë nuk ndiejmë vështirësi se e kemi brez pas brezi këtë punë dhe është shumë zanat i mirë. Nuk është që të vesh pasuri dhe përfitime”, tregon ai.

Jo vetëm në Korçë, por si Skënderi në të gjithë Shqipërinë numërohen me gishtat e njërës dorë.

“Ky profesion më vjen shume keq se po vjen drejt zhdukjes. Mekanika pa kovaçin nuk bën dot. Do shkoje ne kovaçi pa të shkojë në bujqësi të punojë, një saldim, një këputje, do vijë në ustai”, tregon ai.

Ky punëtor i thjeshtë e i heshtur, me famë në gjithë zonën e Maliqit do vazhdojë të punojë deri sa të mundet, teksa kërkon tua trashëgojë edhe fëmijëve të tij.

euronews.al