Historia e të riut që la Kanadanë për traditën e familjes në Lukovë, sot ka krijuar një brand shqiptar

77

Me dëshirën për të investuar në vendlindje, për të kontribuar në zhvillimin e komunitetit të Lukovës, për të vazhduar trashëgiminë e familjes dhe të zonës, për të krijuar një brand shqiptar, për ti treguar botës ullirin e veçantë Kalinjot, Miltiadh Prifti sapo ka nisur rrugën e tij më të rëndësishme. Dhe jo në Greqi, ku u rrit, as në Kanada ku u arsimua po në vendin ku u lind, në Lukovë.

“Guri i rëndë në vend të vet” thotë një proverb i vjetër popullor. Që për shumë njerëz do të thotë se kuptimi i jetës është në vendlindje, në tokën tënde, aty ku flitet gjuha jote, aty ku ke pasur të parët, ku ke familjen e të njohurit. Historitë e emigrimit shpesh e kanë treguar se thirrja e tokës, lidhja me rrënjët është aq e fortë po aq sa edhe e pashpjegueshme. Të tillë lidhje me tokën e tij ka edhe Miltiadh Prifti. I lindur në Lukovë, fëmijëria e tij është e ngjashme me atë të qindra fëmijëve të jugut shqiptare, emigrimi familjar drejt Greqisë. Në moshën 8 vjeçare vendoset me familjen në shtetin fqinj. Në moshën 18 vjeçare nis një tjetër aventurë emigrimi. Këtë herë në kontinentin e largët amerikan, në Kanada.

Në Toronto, ku edhe jeton prej 16 vitesh diplomohet për Business Management dhe Marketing. Pas përfundimit të studimeve, me mallin e mbartur nga Greqia në Kanada vendos të vizitojë Lukovën. Por kësaj here jo si turist, por si fëmija i rritur në bregdet për të për t’ju rikthyer kujtimeve të fëmijërisë, për të ridëgjuar edhe një herë historitë e gjyshes për një pemë të lashtë e të trashëguar në familje prej brezash. Gjatë një viti të kaluar në Lukovë, plotë katër stinë. Miltiadhi apasionohet pas pemës së ullirit. Traditë e familjes prej brezash, nuk mund të mos kishte trashëguar diçka në ADN. Rikthehet në Kanada me jehohën e tregimeve të gjyshes, me kokën pas, më dëshirën për të bërë diçka në tokën e të parëve.

Në vitin 2018 nis aventura “NenaFarm”. Një start up 100% dedikuar ullirit. Nena, sepse ishte ajo, gjyshja, rrëfimet dhe gatimet e saj, shpirti i vërtetë i kësaj sipërmarrjeje që tashmë ka kapërcyer oqeanin.