Historia e thesarit të argjendë, një nga më të mëdhenjtë në Shqipëri

64

Thesari Hija e Korbit, një nga më të mëdhenjtë në Shqipëri. Banka e Shqipërisë bën të ditur se, në janar të vitit 1982, në vendin e njohur sot me emrin “Hija e Korbit”, u gjet një thesar monedhash antike. Kodra ku është gjetur thesari ngrihet pranë qytetit të Maliqit, mbi bregun e majtë të lumit Devoll.

Nisur nga pozicioni strategjik dhe sipërfaqja, Hija e Korbit mendohet të ruajë rrënojat e një qyteti të lashtë ilir të Desaretisë antike, identifikimi i të cilit nuk është përcaktuar përfundimisht.

Thesari përbëhet nga 618 monedha argjendi, të prera në një periudhë kohore që shkon nga shek. IV p.e.s., përfaqësuar nga tetradrahmet e Athinës, dhe përfundon me tetradrahmet e fundit të shekullit III p.e.s. të prera nga Antioh Hieraks, i mbretërisë seleukide. Në përbërje të thesarit gjejmë dy vlera monedhash: tetradrahme dhe drahme, të prera nga qytete dhe mbretër si: Athina, Aleksandri i Madh dhe Filipi III, të prera pas mbretërimit të tyre, të Lysimahut të Thrakisë, të Eumenit I, mbretit të Pergamit, të mbretërve Seleukidë, dhe mbretit të Maqedonisë, Antigon Gonatës.

Muzeu i Bankës së Shqipërisë, ka të ekspozuar në katin numizmatik të tij, një pjesë të këtij thesari, të huazuar nga Instituti i Arkeologjisë.