Historia frymëzuese e Erdenit nga Dibra, djali që sfidoi Sindromën Down

271

12 vite më parë, një familje dibrane që jeton pak minuta larg qytetit të Peshkopisë priste me padurim ardhjen në jetë të një djali. Ky ishte fëmija i pestë, pas katër vajzave, por kontakti i parë i prindërve me vogëlushin nuk ishte i lehtë. Erdeni kishte lindur me Sindromën Down.

“Është fëmija më i vogël i familjes. Lindja e një djali pas 4 motrave, për një familje dibrane ishte një gjë e jashtëzakonshme. E gjithë familja u gëzua. Mbaj mend që kemi bërë një festë shumë të madhe në shtëpi sepse lindi djali që të gjithë e donim. Problemi u identifikua që në momentin kur lindi, por vështirësitë për ecjen i zbuluam kur ai bëri 1 vjeç. Prindërit e përjetuan shumë keq sepse nuk ishim të përgatitur për një situatë të tillë,” – na tregon Dafina, teksa kujton me detaje ditën kur lindi vëllai i vetëm i saj.

Tashmë Erdeni është rritur. 12-vjeçari është një personazh i dashur për gjithë komunitetin ku jeton. Ka një buzëqeshje të veçantë në fytyrë dhe është shumë miqësor. Kujdesi dhe mbështetja e duhur teraupetike që i është dhënë që në fëmijërinë e hershme e kanë ndihmuar Erdenin që të bëhet pjesë aktive e komunitetit ku jeton, të shfaqë potencialin e tij dhe rrisë pavarësinë.

Ndryshimi është frymëzues. Vitet e para Erdeni kishte vështirësi në të folur, por sot artikulon bukur dhe shkruan saktë. Kishte vështirësi në të ecur, por sot nuk e ndal vrapin dhe madje merret me sport. Futbolli është loja e tij e preferuar dhe prej dy vitesh shkon në çdo stërvitje që ekipi i Korabit të moshave të vogla bën në Peshkopi. Profesor Saliu, mësuesi i Edukimit Fizik që njëkohësisht është dhe trajner i ekipit, kujdeset në mënyrë të veçantë për të.

“Erdenit i kemi krijuar hapësirë të luajë me shokët edhe në ndeshje të rëndësishme të klubit. Në përballjet zyrtare me ekipe të tjera, ai është futur në fushë për 5-10 minuta, në mënyrë që të ndjehet i barabartë më të tjerët. Progresi i tij ka qenë mbresëlënës,”– na tregon profesori.

Erdeni është djalë energjik dhe plot ëndrra për të ardhmen. Përveç futbollit, i pëlqen edhe matematika. Ai shkon në klasën e gjashtë, por vazhdon të ketë një lidhje më të fortë me mësuesen e tij të fillores, Anilën, e cila ka pasur një ndikim të rëndësishëm në jetën e tij.

“Unë jam i kënaqur që të gjithë mësuesit dhe shkolla ime më duan. Tani që kam shumë mësues, më duket ndryshe. Unë e dua shumë mësuese Anilën, por dua edhe mësuesit e tjerë. Kur të rritem dua të bëhem futbollist dhe polic. Dua që fëmijët e krejt botës të jenë të qetë dhe mos kenë probleme, prandaj dua të bëhem polic,” – na tregon Erdeni.

Kudretja, nëna e djaloshit, shprehet se fillimet ishin të vështira për familjen e saj. Sfida më e madhe për të dhe bashkëshortin ishte të pranonte realitetin e ri.

 “Më kujtohet kur e kemi dërguar për herë të parë në kopësht ku rrija gjithë ditën me të se nuk qëndronte në karrige. Unë nuk di se si t’ua shpërblej edukatorëve dhe mësuesve që kanë punuar me të si të ishte djali i tyre. Babai i tij e dërgon tek stërvitja, sigurisht me kohë të kufizuar, që ai të mos ndjehet i përjashtuar. Motrat e tij janë më të mëdha kujdesen në çdo moment për Erdenin. Për ne si prind, djali është arsyeja pse jetojmë,” – na tregon Kudretja, ndërsa nuk e fsheh gëzimin për progresin e djalit.

Erdeni është bërë pjesë e programeve të World Vision që kur ishte në kopësht dhe ka qenë pjesë e thuajse çdo aktiviteti dhe nisme që organizata ka pasur ndër vite në zonën e Dibrës.  Së fundi, ai po përfshihet edhe në grupet IMPACT CLUB që organizohen në shkollën e tij.

“Kur Erdeni erdhi në klasën e parë për mua ishte pak e vështirë. Dihet që fëmijët e këtij spektri janë shumë të dashur, por duhet një punë e jashtëzakonshme. Kur shoh sot Erdenin që artikulon, shkruan, vrapon dhe është i njëjtë me fëmijët e tjerë më duket ëndërr,”- na tregon mësuese Anila, e cila për 5 vjet ka punuar çdo ditë me Erdenin për edukimin dhe integrimin social të tij.

Rasti i Erdenit është frymëzues. Ai dëshmon se me punë, përkushtim dhe me mbështetjen e duhur, të gjithë mund t’ia dalim në jetë.