Fatbardha është një grua në kufijtë e 60-ave e cila ka një pasion të hershëm, atë të punimit me grep dhe me shtiza. Një zanat i hershëm që fatkeqësisht nuk po përcillet tek brezi i ri për shkak te mungesës së interesit, por edhe evoluimit teknologjik të kohës. Fatbardha Shuaipaj, jeton në fshat në Njësinë Administrative Antigone Bashkia e Gjirokastrës dhe prej shkollës fillore, nuk i ka lëshuar ndonjëherë grepin apo shtizat nga duart.
Punimet e saj janë kryesisht prej leshi me metodën e vjetër të përpunimit. Ajo thur kryesisht dantella, çentro, perde në punën me grep, pa harruar edhe shtizat që janë funksionale kryesisht për çorapet, bluzat, apo dhe jelekët që prodhohen nga leshi i të imtave.
Gruaja nga Antigoneja, ka një mesazh për moshat e reja e gjithashtu edhe për autoritetet arsimore. Për këto të fundit ajo apelon rikthimin e punës së dorës në sistemin 9-vjeçar ashtu siç ka qenë dikur dhe kjo, për të trashëguar ato vlera etno-kulturore që po harrohen apo dhe identitetin kombëtar.