Hyn në fuqi Strategjia e Integrimit, çfarë parashikon për lëvizjen e lirë të mallrave

297

Plani katërvjeçar i Integrimit ka hyrë tashmë në fuqi dhe secili institucion ka të përcaktuara detyrat që duhet të përmbushë. Sipas angazhimeve të dala nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit, legjislacioni shqiptar duhet të përafrohet me atë europian i gjithi brenda vitit 2019.

Përafrimi i legjislacionit parashikohet të ndihmojë në integrimin më të mirë të vendit dhe në finalizimin e procesit të asocimit.

Një nga kapitujt e rëndësishëm është edhe ai i lëvizjes së lirë të mallrave. Sipas dokumentit, Shqipëria konsiderohet se është mesatarisht e përgatitur në fushën e lëvizjes së lirë të mallrave. Rekomandohet vazhdimi i përpjekjeve për të siguruar harmonizimin e legjislacionit dhe fuqizimin e kapaciteteve zbatuese të institucioneve që lidhen me lëvizjen e lirë të mallrave.

Për vitin 2017, dy do të jenë objektivat kryesore:

-Harmonizim i legjislacionit veçanërisht në fushën e metrologjisë, standardizimit, akreditimit dhe mbikëqyrjes së tregut.

-Funksionimi i plotë i Inspektoratit të Mbikëqyrjes së Tregut.

Gjithashtu rekomandohet përafrimi i legjislacionit në fushën e metrologjisë, në përqasjen e re dhe të vjetër, në masat procedurale si dhe krijimi i inspektoratit të mbikëqyrjes së tregut, me qëllim implementimin e acquis nën këtë kapitull.

Buxheti i parashikuar për vitin 2017 për këtë çështje llogarite në rreth 5.5 milionë lekë.

Burimi: Revista Monitor