Inflacioni sipas metodologjisë së EUROSTAT, 2.3% në tetor

10

Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit u rrit në tetor me 2.3%. Ky indeks, synon të japë ecurinë krahasuese të çmimeve me vendet e Bashkimit Europian.

Për tetorin, norma zyrtare e inflacionit në Shqipëri rezultoi 1.9%.

Grupi i ushqimeve historikisht ka qenë kontribuesi kryesor në rritjen e indeksit të harmonizuar të çmimeve. Sipas INSTAT, në tetor, ai kontribuoi me 4.1% në rritjen totale.

Pasuar nga grupet “Argëtim dhe kulturë” me 3.7%, “ushqime dhe pije joalkoolike” me 3.6%, “veshje dhe këpucë” me 3.3%, “mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 3,0%, “hotele, kafene dhe restorante” me 2.1%, “mallra dhe shërbime të ndryshme” me 2%, “shëndeti” me 1.7%, “shërbimi arsimor” me 1.1%, “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0.9%, “komunikimi” me 0.7%.

Nga ana tjetër çmimet e grupit “transporti” u ulën me 3.1%.
Mbështetur në metodologjinë e përdorur nga INSTAT, indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit përfshin shpenzimet e bëra brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve, ndërsa indeksi i çmimeve të konsumit mbulon vetëm shpenzimet private të familjeve shqiptare të kryera brenda dhe jashtë vendit.

Referenca: ata.gov.al