Inflacioni vijon trajektoren rënëse, 3.4% në janar

9

Inflacioni, i cili mat ndryshimin vjetor të çmimit të mallrave, po vijon rënien, duke arritur kështu nivelin më të ulët që prej fillimit të luftës së Rusisë në Ukrainë.

Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi sot Indeksin e Çmimeve të Konsumit, sipas të cilit ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin janar 2024 është 3.4 %, një vit më parë ky ndryshim ishte 7.2 %.

Krahasuar me dhjetorin e 2023-shit, inflacioni është 0,5 %.

Krahasuar me muajin janar të 2023, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “ushqime dhe pije joalkoolike” me 5.3 %, pasuar nga grupet “mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” dhe “argëtim dhe kulturë” me 5 %, “hotele, kafene dhe restorante” me 4 %, “pije alkoolike dhe duhan” me 3.9 %, “mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3.4 %, “veshje dhe këpucë” me 3.3 %, “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2.3 %, “shërbimi arsimor” me 2.2 %, “shëndeti” me 1.6 % dhe “komunikimi” me 0.3 %.

Nga ana tjetër çmimet e grupit “transporti” shënuan ulje me 4.3 %. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 16.4 %, pasuar nga nëngrupet “fruta” me 8.8 %, “qumësht, djathë dhe vezë” me 5.5 %, “mish” me 4.3 %, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 2.7 %, “peshk” me 2.3 %, etj.

/ata.gov.al