Inflacioni zbret në 4 % gjatë gushtit

2

Instituti i Statistikave publikoi sot Indeksin e Çmimeve të Konsumit, sipas të cilit ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin gusht 2023 është 4 %, një vit më parë ky ndryshim ishte 8 %.

Por sërish çmimet e grupit të ushqimeve mbeten të larta, ndërsa ato të transportit shënuan rënie me 10 %.

Krahasuar me muajin gusht 2022, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “ushqime dhe pije joalkoolike” me 7.8 %, pasuar nga grupet “mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 5.9 %, “hotele, kafene dhe restorante” me 5 %, “veshje dhe këpucë” me 4.4 %, “argëtim dhe kulturë” me 3.9 %, “pije alkoolike dhe duhan” me 3.2 %, “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2.3 %, “shërbimi arsimor” me 2.2 %, “shëndeti” me 1.3 % dhe “komunikimi” me 1.1 %.

Nga ana tjetër çmimet e grupit “transporti” shënuan ulje me 10 %.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 20.8 %, pasuar nga nëngrupet “mish” me 9.6 %, “qumësht, djathë dhe vezë” me 9.1 %, “fruta” me 7.7 %, “peshk” me 5.3 %, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 3.5 %, “bukë dhe drithëra” me 2.3 %, etj.

Krahasuar me muajin korrik 2023, çmimet e grupit “transporti” u rritën me 2.8 %, pasuar nga çmimet e grupit “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1.1 %, “ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “hotele, kafene dhe restorante” me 0.4 % secili.

/ata.gov.al