Inflacioni zbriti në 6.49 % në mars

1

Inflacioni bazë pësoi një rënie të ndjeshme në muajin mars të këtij viti.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, ky tregues zbriti në 6.49%, nga niveli rekord historik prej 8.74% ku kishte qëndruar për muajt janar dhe shkurt.

Inflacioni bazë mat ndryshimin e çmimeve të konsumit, duke përjashtuar ato produkte që për nga natyra e tyre kanë luhatshmëri të lartë, kryesisht produktet ushqimore dhe ato energjetike.

Qëllimi i inflacionit bazë është ta zhveshë rritjen e përgjithshme të çmimeve nga efektet e goditjeve të ofertës apo nga faktorë të tjerë me ndikim afatshkurtër. Duke qenë se përfaqëson komponentin më të qëndrueshëm të rritjes së çmimeve, ecuria e inflacionit bazë është veçanërisht e rëndësishme në këndvështrimin e vendimmarrjes së politikës monetare.

Inflacioni mesatar në ekonomi në muajt e fundit ka shënuar rënie të ndjeshme dhe për marsin zbriti në 5.3%, niveli më i ulët që prej shkurtit 2022. Rënia e inflacionit është përcaktuar kryesisht nga ulja e çmimeve të karburanteve, por, gjithashtu, edhe nga efekti statistikor i bazës krahasuese, i përmendur më sipër edhe për inflacionin bazë (rritja e fortë e çmimeve nisi pikërisht në mars të një viti më parë).

Pavarësisht zbutjes së muajve të fundit, rreziqet inflacioniste ngelen ende të pranishme.  Paralajmërimi i qeverisë për një rritje të fortë të pagave në sektorin publik këtë vit pritet të mbështesë qëndrueshmërinë e kërkesës së brendshme dhe të mbajë të larta presionet inflacioniste.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë rriti përsëri normën bazë të interesit në muajin mars me 0.25 pikë përqindje, duke e çuar në 3%, niveli më lartë në dekadën e fundit, me qëllim përballimin e rritjes se inflacionit.

/ata.gov.al