INSTAT: Eksportet, 27 miliardë lekë deri në muajin gusht

18

INSTAT bëri të ditur se në gusht 2023 eksportet e mallrave rezultojnë në vlerën 27 miliardë lekë, duke u ulur me 21,9 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas INSTAT, në rënien e eksporteve kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -14,3 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -3,8 pikë përqindje, “Prodhime druri dhe letre” me – 1,3 pikë përqindje, ndërsa pozitivisht ka ndikuar grupi: “Produkte kimike dhe plastike” me +1,1 pikë përqindje.

Thellimi i rënies në gusht, ka ndikuar edhe në rënien e këtij treguesi edhe për gjithë 8-mujorin. Sipas INSTAT, në këtë tetëmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 300 miliardë lekë, duke u ulur me -8,6 % krahasuar me një vit më pare.

Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -7,8 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -1,0 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -0,7 pikë përqindje.

Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Ushqime, pije, duhan” me +1,7 pikë përqindje dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +0,4 pikë përqindje.

Ekspertët vlerësojnë se, rënia e eksporteve është diktuar nga pasojat që po jep te eksportuesit rënia e euros, por dhe konjukturës së pafavorshme të çmimeve në bursat ndërkombëtare.

/ata.gov.al