INSTAT: Inflacioni në muajin korrik zbriti në 4.2 %

2

Inflacioni, i cili mat ndryshimin vjetor të çmimit të mallrave, shënoi rënie në muajin korrik, duke zbritur në 4.2%, niveli më i ulët nga marsi 2022, kur dhe filloi shtrenjtimi i ndjeshëm për shkak të pasojave të sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës.

Instituti i Statistikave publikoi sot Indeksin e Çmimeve të Konsumit, sipas të cilit ndryshimi vjetor i çmimeve të konsumit në muajin korrik ishte 4.2 %. Një vit më parë ky ndryshim ishte 7.5 %. Ndryshimi mujor i çmimeve të konsumit në muajin korrik 2023, krahasuar me qershor 2023 është -0.1 %.

Rritja vjetore e çmimeve në muajin Korrik është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3,20 %, pasuar nga grupi “mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0,44 %, “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,26 %,  “hotele, kafene dhe restorante” me 0,23 %, “argëtim dhe kulturë” me 0,22%. Çmimet e grupit “mallra dhe shërbime të ndryshme” u rritën me 0,21%, “pije alkoolike dhe duhan” me 0,19%, “veshje dhe këpucë” me 0,16%, “shërbimi arsimor” me 0,06 %, “shëndeti” me 0,05 % dhe  “komunikimi” kontribuojë me 0,04%.

Nga ana tjetër çmimet e grupit “transporti” shënoi ulje me 0.84 %.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 21,6 %, pasuar nga nëngrupet “qumësht, djathë dhe vezë” me 13,8 %, “mish” me 11,2 %, “fruta” me 7,0 %, “peshk” me 6,1 %, “sheqer, recel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 3,6 %, “bukë dhe drithra” me 2,9 %, etj.

Krahasuar me muajin Qershor 2023, çmimet e grupit “argëtim dhe kulturë” u ulën me 0,9 %, pasuar nga çmimet e grupit “ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,6 %. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “tansporti” u rritën me 0,7 %, pasuar nga “hotele, kafene dhe
restorante” me 0,6 %, “pije alkoolike dhe duhan” dhe “veshje dhe këpucë” me 0,4 % secili, “mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë”, “shëndeti” dhe “mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,2 % secili.

/ata.gov.al