INSTAT: Prodhimi në serra me 7% më shumë, kryesoi rritjen e perimeve në 2022

0

Prodhimi i përgjithshëm vendas i perimeve në vitin 2022 shënoi rritje me 1.4% në krahasim me vitin 2021.

Referuar statistikave të publikuara nga INSTAT, prodhimi i perimeve në serra u rrit me 7%  dhe prodhimi i ullirit për shkak të sezonit të mbarë të vitit të kaluar regjistroi gati dyfishim të prodhimit.

Sipas INSTAT, në vitin 2022, prodhimi i drithërave është 690.854 tonë. Në Qarkun e Fierit është shënuar niveli më i lartë me 171.017 tonë, pasuar nga qarqet Elbasan dhe Korçë me 95.376 tonë dhe 81.092 tonë.

Prodhimi i patates arriti është 262.673 tonë. Qarqet që kanë nivelin më të lartë të prodhimit të patates në vend janë, Korça me 64.956 tonë, Fieri me 47.500 tonë dhe Elbasani me 30.173 tonë.

Në vitin 2022, prodhimi i perimeve është 1.357.825 tonë. Niveli më i lartë i prodhimit të perimeve është në qarqet Fier me 534.351 tonë, Berat me 139.775 tonë dhe Tiranë me 136.951 tonë.

Perimet e njoma përfaqësojnë 67,38% të perimeve gjithsej, ndjekur nga bostanoret me 23,07% dhe perimet e thata me 9,55%.

Në vitin 2022, u prodhuan 914.958 tonë perime të njoma. Në grupin e perimeve të njoma, kulturat përfaqësuese, janë domatja me 315.057 tonë (34,41%), kastraveci 129.896 tonë (14,19% )dhe speci 97.017 (10,59%).

Në grupin e perimeve të thata, qepa e thatë përfaqëson 84,01% ndaj prodhimit gjithsej, ndërsa në grupin e bostanoreve shalqiri përfaqëson 81,99% të prodhimit të këtij grupi.

Prodhimi i perimeve në serra përfaqëson 22,90% të prodhimit gjithsej të perimeve nga ku 79,87% e këtij prodhimi i përket Qarkut Fier dhe Berat.

Në vitin 2022, prodhimi në serra është rritur me 7,22%, krahasuar me një vit më parë. Prodhimi i domates zë 51,6% të prodhimit gjithsej në serra.

Qarku me përqindjen më të lartë të prodhimit të perimeve në serra ndaj prodhimit të perimeve gjithsej është Berati me 68,78% dhe Fieri 28,49%, përqindja më e ulët është shënuar në qarkun Korçë dhe Gjirokastër me 0,16% dhe 0.42%.

/ata.gov.al