INSTAT: Punësimi, rritje me 2.7 % në tremujorin e dytë

14

Në tremujorin e dytë 2023, numri i të punësuarve u rrit me 2.7 %, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2022, dhe me 0.1 %, krahasuar me tremujorin e parë 2023.

Ndërkohë, sipas raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT), numri i të papunëve gjithsej u ul me 1,9 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022, dhe me 0.7 %, krahasuar me tremujorin e mëparshëm, duke e çuar në 10.7 % shkallën zyrtare të papunësisë në Shqipëri, për popullsinë 15 vjeç e lart.

Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se në tremujorin e dytë 2023, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës, për popullsinë 15-64 vjeç, është 75.8 %. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2022, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 3 pikë përqindje më e lartë, ndërkohë që krahasuar me tremujorin e mëparshëm është rritur me 0.1 pikë përqindje.

Për gratë, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 70.2 %, ndërsa për burrat ky tregues është 81.7 %.

Për burrat, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 11.5 pikë përqindje më e lartë sesa për gratë.

Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për gratë është rritur me 4.1 pikë përqindje, dhe për burrat me 1.9 pikë përqindje.

Në terma vjetorë, punësimi ulet me 6.1 % në sektorin e bujqësisë dhe me 1.8 % në sektorin e industrisë, ndërsa u rrit me 11.9 % në sektorin e shërbimeve.

/ata.gov.al