Interneti fiks në Shqipëri po adoptohet me ritme të shpejta, tejkalon 600 mijë përdorues

19

Raporti më i fundit i Autoritetet të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) zbuloi se në fund të tre mujorit të dytë të 2023 Shqipëria kishte 3,805,832 pajtimtarë të shërbimeve celulare, një rritje minimale prej 0.3 përqind krahasuar me tre mujorin e kaluar por me 10.6 përqind me një vit më parë.

Rreth 2.7 milionë përdorues janë të telefonisë celulare ndërsa interneti përmes rrjeteve celulare kishte 2 milionë përdorues.

Vodafone Albania kishte 1,934,048 pajtimtarë të shërbimeve celulare sipas kartave SIM ndërsa One Albania numëronte 1,817,784 pajtimtarë.

Për nga numri i përdoruesve aktivë të shërbimeve celulare, One Albania kryeson me 1,470,970 ndjekur nga Vodafone Albania me 1,311,256.

Rreth 57 përqind e pajtimtarëve të Vodafone Albania ishin përdorues me parapagim ndërsa kjo shifër për One Albania është rreth 74 përqind.

Mesatarisht një përdorues i shërbimeve celulare shpenzon 135 minuta, 13 SMS dhe 7.63GB në muaj.

Interneti Fiks

Numri i pajtimtarëve të telefonisë fikse në fund të tre mujorit të dytë të 2023 ishte 177 mijë sipas AKEP. Përdorimi i këtij shërbimi ka qenë në rënie të vazhdueshme.

Nga ana tjetër përdorimi i internetit përmes rrjeteve fikse ka arritur një objektiv madhor duke kapërcyer për herë të parë shifrën e 604 mijë pajtimtarëve. Pas disa muajsh me humbje, One Albania u rrit në mënyrë të ndjeshme në tre mujorin e parë të vitit në 128,797 pajtimtarë në tre mujorin e parë të 2023 dhe më pas në 131,044 pajtimtarë në tre mujorin e dytë një rritje prej 15.1 përqind nga viti në vit.

Kështu rimerr vendin e parë nga Vodafone Albania si operatori më i madh në vend i internetit fiks. Ky i fundit kishte 128,035 pajtimtarë në fund të tre mujorit të dytë, një rritje prej 4.9 përqind nga viti në vit.

Tring Communication është operatori i tretë më i madh me 60,561 pajtimtarë, ndjekur nga Abissnet me 43,567 pajtimtarë, Digicom me 29,063 pajtimtarë, Nisatel me 21,937 pajtimtarë, IBC me 9,500 pajtimtarë dhe Fastnet Albania me 9 mijë pajtimtarë.

Në tre mujorin e dytë të vitit numri i tyre me akses në shërbime të integruara arriti në 301 mijë ndërsa 50 përqind e përdoruesve me qasje në internet broadband kanë paketa të integruara TV apo Telefoni fikse.

/pcworld.al