Investimet në bujqësi, 11 milionë euro për ujitjen dhe kullimin

5

Investimet në infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit në sektorin e bujqësisë, përfshijnë mbi 42 objekte në shkallë vendi, me një vlerë financimi 11 milionë euro në tre vite.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural raportoi se në programin “Menaxhimi i Infrastrukturës së Kullimit dhe Ujitjes” deri në gusht të këtij viti u realizuan 43.9 për qind e shpenzimeve të parashikuara.

Konkretisht sipas raportit kanë përfunduar punimet për mirëmbajtjen e objekteve të infrastrukturës së ujitjes, që ndikuan në sezonin ujitës të këtij viti, veçanërisht në bërjen funksional të kanaleve kryesor ujitës Peqin-Kavajë, që mbulon me ujitje bashkitë Peqin, Rrogozhinë dhe Kavajë, kanaleve “Naum Panxhi” dhe Poilis Tudan, që mbulojnë me ujitje bashkinë Elbasan, si dhe veprat e marrjes së ujit për disa kanale kryesor ujitës në administrim të MBZHR (kanalet Mat-Lezhë, Mat-Kurbin në Lezhë e Kurbin, Vjosë-Levan-Fier, në Fier, Degët Ujitëse me rezervuarin e Thanës në Lushnjë etj.).

Po kështu vazhdojnë punimet për pastrimin e rrjetit kryesore kullues, ku aktualisht janë realizuar rreth 80 % e punimeve.

“Është mundësuar funksionimi normal i 27 hidrovoreve për kullimin e rreth 70 000 ha, ndërkohë, që po punohet për përfundimin e remonteve të hidrovoreve (të remonteve të zakonshme të elektropompave dhe pajisjeve elektrike të lëshimit dhe në vijim kolaudimi përfundimtar i tyre, për pasjen në gatishmëri të hidrovoreve në fillim të sezonit me reshje)”, thuhet në dokumentin e MBZHR.

Lidhur me investimet. MBZHR bëri me dije se janë të paktën 42 objekte gjithsej në këtë program.

Kështu 15 objekte, me vlerë 483 milion lekë, janë në vazhdim nga viti 2022, nga të cilët, në 12 objekte kanë përfunduar punimet, ndërsa 3 objekte janë në proces dhe deri tani janë realizuar rreth 60% e punimeve civile.

Ndërkohë 27 objekte janë të rinj, me vlerë 682 milionë lekë, nga të cilët, 7 kanë të parashikuar të gjithë financimin brenda vitit 2023, ndërsa për 20 objekte të tjera, financimi shtrihet kryesisht në 2 vite 2023-2024.

Nga totali i objekteve të rinj, për 22 objekte janë lidhur kontratat, ku në 12 prej tyre realizimi mesatar i punimeve është rreth 50 %, ndërsa 5 objekte të tjera, në fazën e vlerësimit të ofertave.

/ata.gov.al