Investimi 2 miliard euro/ CNN: Durrësi, Dubai i Vogël i Mesdheut

47

Investimit 2 miliard euro të Portit të Durrësit nga Mohamed Alabbar themelues dhe pronar i kompanisë EMAAR, i është bërë jehonë në median prestigjoze CNN.

Mohamed Alabbar në intevistën për CNN teksa e quan vendin tonë “Europa e re” thotë se vendosi të investojë në vendin tonë pasi të gjithë indikatorët sipas tij janë pozitivë.

 

Në lidhje me investimin madhor në Portin e Durrësit ai tha se do të përfshihen hotele, dyqane, port turistik dhe shumë aktivitete të tjera. Ndërkaq shtoi se këto investime i ka bërë dhe në vende të tjera.

“Këto investime i kam bërë dhe në shumë vende të tjera të botës, të fundit e bëra në Serbi me stacionin e trenit dhe pati shumë sukses. Besoj se këto investime madhore mund të jenë të suksesshme kudo në botë, nëse i bën me dëshirë me partnerët e duhur. Ne do të krijojmë portin më të madh në detin Adriatik. Me qindra apartamente dhe dyqane dhe qendra tregtare. Ky investim për mua është një ëndërr që kam dhe po e bëj realitet”.

Porti i Durrësit do të kthehet në një port turistik, i cili do t’i hapë rrugë ndërtimit të marinës detare të përshtatura për jahte, një terminali modern pasagjerësh dhe ndërtesave, të cilat do të kenë qëllime tregtare dhe hotelerie. Porti i ri turistik i Durrësit do të nisë shumë shpejt punimet dhe për 6 vite do të ketë përfunduar duke u kthyer në zemrën e turizmit shqiptar dhe një forcë e madhe për ekonominë shqiptare. Porti tregtar do të zhvendoset në zonën e Porto Romanos, duke i dhënë kështu fund problemeve me ndotjen që ka patur deri më sot qyteti i Durrësit.