Investimi 2 miliardë euro, firmoset marrëveshja për ndërtimin e portit turistik në Durrës

69

Sot u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit, midis “Eagle Hills Real Estate Development” shpk, përfaqësuar nga investitori e zhvilluesi me famë botërore Muhammed El Alabbar dhe “Albanian Seaports Development Company”, për realizimin e projektit “Durrës Yachts & Marina”.

Ky projekt, i cili mori statusin e investimit strategjik do të zhvillojë e rijetëzojë qytetin e Durrësit, duke ndërtuar një port me kushte moderne dhe luksoze, për të ofruar për herë të parë një lloj të ri turizmi në Shqipëri.

Së bashku me portin, do të ndërtohet një zonë e re rezidenciale si dhe shërbimesh të një turizmi bregdetar elitar. Me këtë projekt, teksa porti tregtar i Durrësit zhvendoset në zonën e Porto Romanos, porti i ri që do të ndërtohet do të përqendrohet vetëm tek turizmi dhe shërbimet e këtij sektori.

Një investim prej 2 miliardë eurosh dhe që ofron 12 mijë vende të reja pune, ndikimi në ekonomi dhe në turizëm pritet të jetë shumë i prekshëm e pozitiv.