Italia partneri kryesor tregtar i Shqipërisë, zbulohen shifrat e eksport-importeve

6

Në 11-mujorin e këtij viti eksportet e mallrave arritën vlerën 447 miliardë lekë, ndërsa INSTAT bëri të ditur se partneri kryesor tregtar për këtë periudhë është Italia, drejt së cilës eksportet shënuan rritje me gati 38.6 %.

Referuar INSTAT, eksportet drejt Italisë në vlerë llogariten 195.8 miliardë lekë. Pjesën më të madhe të eksporteve drejt Italisë e zë grupi “tekstile dhe këpucë”. Nga 124.5 miliardë lekë që është vlera e eksporteve të grupit “tekstile dhe këpucë“ për periudhën janar-nëntor, eksporti i këtij grupi drejt Italisë llogaritet 97.2 miliardë lekë.

Eksportet e grupit “materiale ndërtimi dhe metale” drejt vendit fqinj llogariten gati 31.2 miliardë lekë, ndërsa eksporti i grupit “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” llogaritet rreth 18.3 miliardë lekë.

Edhe eksportet e grupit “minerale, lëndë djegëse dhe energji” shënuan rritje, duke arritur vlerën 18 miliardë lekë për periudhën në fjalë.

Shqipëria eksportoi drejt Italisë edhe produkte ushqimore, që në vlerë për periudhën janar-nëntor llogariten mbi 10.4 miliardë lekë.

Ndërkohë edhe importet shënuan rritje. Referuar statistikave, importet drejt Italisë për periudhën 11-mujore llogariten 188 miliardë lekë, nga 175 miliardë lekë që ishin në 2021.

Importi i grupit “tekstile dhe këpucë” llogaritet 45.2 miliardë lekë me një rritje prej rreth 7 miliardë lekësh.