Ja 10 kompanitë teknologjike më të mira për të punuar

66

Motori i kërkimit për punë, Indeed, ka analizuar së fundmi më shumë se 100 milionë vlerësime dhe komente në platformën e tij, për të krijuar renditjen e 10 kompanive teknologjike që ofrojnë përvojën më të mirë për punonjësit e tyre.

10-Apple

Selia: Cupertino, Kaliforni

Detaje të vendit të punës: Përveçse mori shumë vlerësime për pagat dhe përfitime të tjera, Apple ka marrë vlerësime edhe për kulturën e kompanisë. Një punonjës shkruan: “Menaxherët tregohen gjithnjë korrekt për punën që u kërkojnë punonjësve të tyre”.

 9-SAP

Selia: Walldorf, Gjermani

Detaje të vendit të punës: Përveçse mori vlerësime të shumta për mundësinë për të punuar me orare fleksibël, një punonjës shkruan: “SAP është një vend i mrekullueshëm për të punuar. Ata kujdesen vërtet për kulturën e punës së kompanisë dhe punonjësit e tyre. Ata bëjnë investime të rëndësishme në trajnimin e punonjësve, mjedisi i punës është vërtet i këndshëm dhe avantazhet janë mjaft konkurruese krahasuar me vende të tjera ku kam punuar”.

8-LinkedIn

Selia: Mountain View, Kaliforni

Detaje të vendit të punës: Një punonjës shkruan: “Mendoj se të gjithë duhet të shkojnë në LinkedIn për të përjetuar qoftë edhe vetëm mjedisin e punës. Ka kaq shumë për të mësuar, dhe ata ju mësojnë se si të rriteni brenda dhe jashtë kompanisë”.

7-YouTube

Selia: San Bruno, Kaliforni

Detaje të vendit të punës: Një punonjës shkruan se të punosh në YouTube “të bën të ndihesh sikur punon në kompaninë më të mirë në botë. Ata kujdesen për ju dhe ju japin mundësinë që të rriteni nëpërmjet trajnimeve dhe zhvillimit”.

6-Salesforce

Selia: San Francisko, Kaliforni

Detaje të vendit të punës: Një punonjës shkruan se Salesforce “ka një kulturë të mrekullueshme pune dhe një ambient fantastik. Salesforce është vendi ku ju mund të ngjisni shkallët e karrierës dhe sigurisht të rriteni profesionalisht edhe brenda kompanisë”.

5-Yahoo!

Selia: Sunnyvale, Kaliforni

Detaje të vendit të punës: Yahoo!, e cila është ngjitur me pesë pozicione në renditje krahasuar me vitin e kaluar, ka marrë vlerësime për kulturën e punës dhe për punësimin e njerëzve vërtet të talentuar. Një punonjës shkruan në platformën Indeed se kompania “ka njerëz të talentuar, ekipe mjaft të përgatitur dhe ofron mundësinë për t’u rritur në karrierë”.

4-Intuit

Selia: Mountain View, Kaliforni

Detaje të vendit të punës: Kompania vlerësohet për politikën e saj të 10% të kohës të pastrukturuar, që u lejon punonjësve të punojnë mbi diçka që atyre u pëlqen, edhe nëse kjo gjë nuk ka lidhje me kompaninë.

3-Airbnb

Selia: San Francisko, Kaliforni

Detaje të vendit të punës: Airbnb, e cila është një hyrje e re në këtë renditje, u jep punonjësve 2000 dollarë në vit për të udhëtuar dhe për të qëndruar në çdo shtëpi që është pjesë e kësaj platforme. Një punonjës thotë se kompania është një vend i mrekullueshëm për të punuar. Mjediset e punës janë fantastike dhe avantazhet janë të mëdha: mëngjes, drekë, ndonjë gjë për të ngrënë pasdite, sigurimet shëndetësore, kuponë për të udhëtuar çdo tre muaj për punonjësit, sigurimin e laptopëve për të punuar etj.”.

2-Adobe

Selia: San Jose, Kaliforni

Detaje të vendit të punës: Adobe, e cila për vitin e dytë me radhë renditet në vend të dytë, vlerësohet për një kulturë punë transparente dhe gjithëpërfshirëse, e cila kohët e fundit ka arritur edhe barazinë e pagave mes gjinive.

 1-Facebook

Selia: Menlo Park, Kaliforni

Detaje të vendit të punës: Përveçse u paguan qëndrimin praktikantëve, një punonjës shkruan se Facebook “është një kompani fantastike, e cila ofron avantazhe dhe përfitime të mëdha – ju do të jeni ndër njerëzit më me fat nëse do të punoni aty”.