Ja futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave për goditjet e lira

81

Lionel Messi shënoi golin e 47-të nga goditjet e lira në karrierën e tij në ndeshjen e së martës dhe kjo ka bërë që tifozët e futbollit të votojnë në favor të pesë-herë fituesit të Topit të Artë për lojtarin më të mirë për goditjet e lira.

SportBible vendosi një anketë në Twitter për tifozët e futbollit dhe nga 48 mijë tifozët që morën pjesë, 42 për qind votuan për Lionel Messin, i cili mposhti David Beckhamin, Juninho Pernambucanon dhe Ronaldinhon për t’u shpallur lojtari më i mirë për goditjet e lira.

Beckhami, i famshëm për golat e bukura për Manchester Unitedin dhe ekipin kombëtar të Anglisë në karrierën e tij, mori 26 për qind të votave, duke e lënë pas Juninhon me 23 për qind. Ronaldinho mbeti i katërti, me 9 për qind.

Këtë sezon, Messi i ka lënë shumë prapa vetes futbollistët e tjerë përsa i përket statistikave për golat e shënuara nga gjuajtjet e lira. Deri tani, ai e ka arritur shifrën 12 gola më shumë sesa të gjithë të tjerët.

Sa i përket teknikës së tij, Marca e ka analizuar atë detajisht, duke raportuar se këmba e argjentinasit kur gjuan goditje të lira vendoset në kënd prej 50 shkallësh. Ai e vendos pothuajse të gjithë këpucën e tij në tokë para se ta godasë topin, duke i dhënë goditjes më shumë stabilitet dhe kontroll. Për ta përmirësuar saktësinë, Messi i harkon shpatullat e tij dhe gjoksin, duke u kërrusur për ta vendosur trupin në një pozitë më kompakte.