Ja si përfitohet rimbursimi për mallrat në bagazhin personal të udhëtarit

25

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) njofton mbi mënyrën se si do të procedohet për rimbursimin e mallrave në bagazhin personal të udhëtarit.

Rimbursimi i TVSH-së së paguar në Shqipëri për blerje mallrash të destinuara për t’u transportuar në bagazhin personal të udhëtarëve, bëhet sipas këtyre procedurave: Trajtimit me shkallën zero të TVSH-së, nëpërmjet procedurës së rimbursimit të TVSH-së së paguar në blerjen e këtyre mallrave; Për qëllime të ushtrimit të së drejtës për rimbursim të TVSH-së, konsiderohen si eksporte mallrat e eksportuara në bagazhin personal të udhëtarit, vlera totale e të cilave përfshirë TVSH-në, nuk është më e vogël se 120 000 (njëqind e njëzet mijë) lekë.

Një person konsiderohet udhëtar jo i vendosur brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, nëse vërteton se banesa e përhershme apo rezidenca e tij e zakonshme nuk ndodhet brenda këtij territori, duke e vërtetuar këtë me pasaportën, kartën e identitetit ose me një dokument të posaçëm të lëshuar nga autoritetet e shtetit ku ka rezidencën.

Individi udhëtar, i cili ka blerë mallra me një vlerë totale jo më pak se 120 000 (njëqind e njëzet mijë) lekë në territorin e Shqipërisë dhe është në gjendje të vërtetojë se këto mallra janë të destinuara për t’u transportuar në bagazhin e tij personal dhe eksportohen për t’u përdorur jashtë territorit të Shqipërisë nga udhëtari, i cili adresën e përhershme ose rezidencën e ka jashtë Shqipërisë, atëherë ky furnizim konsiderohet si eksport dhe trajtohet me shkallën zero të TVSH-së.

Gjithashtu DPT bën me dije se për të konsideruar furnizimin e këtyre mallrave si eksport, për të ushtruar të drejtën për rimbursim të TVSH-së, udhëtari duhet të plotësojë njëkohësisht tre kushte:

a) Udhëtari duhet të vërtetojë se nuk është i vendosur brenda Republikës së Shqipërisë dhe për këtë duhet të tregojë se banesa e tij e përhershme ose rezidenca e zakonshme është jashtë Shqipërisë;

b) Mallrat e blera në territorin shqiptar transferohen jashtë Republikës së Shqipërisë, jo më vonë se 3 muaj pasues nga data e kryerjes së furnizimit, sipas datës së shënuar në faturën origjinale të blerjes së mallit;

c) Vlera totale e furnizimit e shprehur në lekë ose kundërvlerën e saj në lekë, përfshirë TVSH-në, të mos jetë më e vogël se vlera 120 000 (njëqind e njëzet mijë) lekë.

Aplikimi për rimbursim të TVSH-së nga udhëtari bëhet kur udhëtari është jashtë Shqipërisë, brenda një periudhe prej 30 ditësh nga momenti i largimit nga territori shqiptar. Ky aplikim përmban dokumentet si më poshtë:

a) Formularin e plotësuar dhe të vulosur nga autoriteti doganor në pikën e kalimit të kufirit të Republikës së Shqipërisë;

b) Faturën origjinale të blerjes, bashkangjitur së cilës duhet të jetë kuponi tatimor, i vulosur prej autoritetit doganor;

c) Fotokopje të dokumentit të identifikimit të udhëtarit.