Java Kulturore Italiane, aktivitete kushtuar trashëgimisë arbëreshe

5

Java Kulturore Italiane ditën e sotme ia ka kushtuar arbëreshëve.

Sipari i aktiviteteve u çel me kuvendin “Trashëgimia kulturore arbëreshe. Vepra e Jeronim De Radës dhe Anselmo Lorecchio-s”, që u mbajt në Universitetin Politeknik të Tiranës.

Ky kuvend, ku ishin të pranishëm disa studiues të fushës, u zhvillua nën moderimin e prof. Diana Kastratit, kreu i Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), e cila është edhe një prej mbështetëseve dhe promovueseve të kësaj konference dhe dite kushtuar arbëreshëve. Në këtë konferencë u fol mbi rëndësinë e trashëgimisë kulturore arbëreshe dhe rolin e saj në lidhjet historike italo-shqiptare.

Prof. Matteo Mandalà, përgjegjës i departamentit të Gjuhës Shqipe në Universitetin e Palermos vuri në dukje projektet e realizuara nga departamenti ku theksoi rëndësinë e projektit “BESA”, që sjell një përmbledhje të bibliotekave publike dhe private në fshatrat e banuara nga arbëreshët në Italinë e Jugut. Ai theksoi rëndësinë e botimeve të kësaj njësie dhe rolin që duhet të luajnë nënat në mësimin e arbërishtes dhe të fëmijëve arbëreshë.

Komuniteti arbëresh është i shpërndarë në 5 rajone të Italisë dhe gjuha arbëresh e ruajtur prej më shumë se 500 vjetësh është shpallur gjuhë në rrezik zhdukjeje nga UNESCO. Kjo ditë tërheq vëmendjen për ruajtjen e gjuhës e traditave dhe përcjelljen e tyre në brezat e ardhshme. Gjatë një interviste për televizionin italian RAI, prof. Diana Kastrati e vlerësoi gjuhën arbëreshe si “thembrën e Akilit” duke shtuar se po bëhet ç’është e mundur për ta ruajtur.

/ata.gov.al