Jeni fermer? Nisin aplikimet për grante nga IPARD II, ja detajet

36

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) njofton thirrjen e Katërt për dorëzimin e aplikimeve në kuadër të Programit IPARD II nga Instrumenti i Ndihmës së Para-Anëtarësimit (IPA) për Zhvillimin Rural (IPARD) me qëllim të zhvillimit të Sektorit Agro – Ushqimor.

“Fermerët dhe agrobiznesi nga data 10 dhjetor 2021 deri në 26 shkurt 2022, kanë afat për dorëzimin e aplikimeve për të përfituar grante nga thirrjen e katërt e programit IPARD II, për masën 7 që mbështet sektorët: Turizmi rural dhe i Natyrës; Punimet e artizanatit dhe industria e manifakturës dhe Prodhimi i energjisë së rinovueshme”.

AZHBR bën të ditur se, thirrja e katërt për aplikime është e hapur për të gjithë personat (persona fizikë dhe juridikë), puna dhe veprimtaria e të cilëve zhvillohet në të gjithë vendin tonë, në fushat e prodhimit bujqësor /ose të agro-përpunimit dhe rural.

Aplikimet në thirrjen e katërt hapen për: Masa 7- “Diversifikimi i fermave dhe zhvillimi i biznesit” me fokus të veçantë tre sektorët e lartë përmendur.

Objektivat e masave të Programit IPARD II të përzgjedhura janë në përputhje me objektivat e Dokumentit Strategjik Kombëtar (DSK) dhe kontribuojnë për mbështetjen e investimeve në sektorin agro-ushqimor me qëllim përmirësimin e konkurrencës, pajtueshmërinë me standardet e BE-së dhe ruajtjen e natyrës dhe mjedisit.

Fokus i mbështetjes së investimeve në zonat rurale, është diversifikimi i ekonomisë rurale dhe zhvillimi i biznesit, duke çuar në përmirësimin e mundësive të punësimit dhe përfshirjes sociale.

Nën Masën 7 totali i shpenzimeve të pranueshme për ndihmën e kërkuar do të jetë në kufijtë minimal 10,000 euro dhe shuma maksimale e totalit të shpenzimeve të pranueshme 400,000 euro.

“Një aplikant mund të përfitojë më shumë se një projekt investimi, por totali i kostove të pranueshme të investimeve për aplikant, për këtë masë nuk duhet ta kalojë vlerën prej 600,000 euro për të gjithë kohë zgjatjen e periudhës së programit”, njofton AZHBR.