Jo vetëm deti/ Zbulohet një tjetër destinacion turistik në Lezhë (FOTOT)

64

Ungrej është një zonë shumë pak e njohur, por mjaft interesante për t’u eksploruar në Lezhë.

Natyra ka krijuar në Ungrej të Lezhës një ansambël vlerash natyrore, kulturore e historike që po kthehen një një destinacion të turizmit malor. Rruga gjarpëruese drejt majës së Kreshtës nuk mund të lihet jashtë vëmendjes, pasi ballkoni i saj thuajse në krye të rrugës jep një panoramë drejt Kallmetit dhe gjithë fushës së Zadrimës.

Tani rrugëtimi është i orientuar nëpërmjet disa tabelave ekologjike të vendosura nga Zyra e Turizmit në Bashkinë e Lezhës. Kjo është një fazë fillestare, pasi po vijohet me sinjalistikën orientuese drejt shtigjeve për t’i dhënë sa më shumë siguri vizitorëve. Këto tabela tregojnë për destinacionet historike dhe kulturore, ndërsa vendosja e shigjetave që tregojnë rrugën po vijon pasi po hartohen edhe shtigjet që përshkojnë thuajse të gjithë zonën dhe çdo vlerë të saj.

Zona e Ungrejit shtrihet në një pjesë të sheshtë ku bashkohen disa lugina të përrenjve malorë, njëri prej të cilëve është edhe përroi i Ungrejit. Nga bregdeti i Shëngjinit dhe deri në Ungrej udhëtimi zgjat rreth 50 minuta duke kaluar nga një zonë e ngrohtë në një klimë më të freskët dhe mjaft atraktive. Ky udhëtim kalon përmes fshatit Kallmet që në vetvete është një tjetër destinacion i turizmit kulturor.