Ju ngrenë në detyrë, por nuk ju rrisin pagën? Ja si duhet të veproni!

80

Rreth 39% e drejtuesve të Burimeve Njerëzore thonë sot se është e zakonshme që kompania t’u ofrojë punonjësve një ngritje në detyrë, por pa një rritje page – sipas të dhënave të kompanisë OfficeTeam.

Ndërkohë që ngritja në detyrë pa rritje page nuk është ideale, ekspertja e karrierës, Lindsey Pollak, thotë se ju mund ta pranoni këtë marrëveshje – nëse ngritja në detyrë është në linjë me objektivat e së ardhmes në afat të gjatë.

“Nëse për ju është shumë e rëndësishme për të pasur një titull në karrierë, për shkak të profilit tuaj profesional dhe të punës që dëshironi më vonë, mendoj se duhet ta pranoni këtë gjë” – thotë ekspertja Pollak, e cila paralajmëron se kjo situatë duhet të jetë e përkohshme.

Më poshtë ekspertja Pollak dhe Vicki Salemi nga Monster.com nënvizojnë tre gjëra që ju duhet të bëni nëse ju ngrenë në detyrë por nuk ju rrisin pagën.

1.Përcaktoni një afat

Nëse punoni në një kompani ku gjendja financiare nuk është dhe aq e mirë, është e natyrshme që ngritjet në detyrë të mos shoqërohen me rritje page. Por kjo nuk do të thotë që ju duhet ta shmangni këtë bisedë.

Në fakt, Pollak thotë që kur ju ofrohet për herë të parë një ngritje në detyrë ju duhet t’i kërkoni shefit tuaj një datë të saktë se kur ju mund ta ribëni bisedën për rritjen e pagës. Ju mund t’i thoni diçka të ngjashme “Jam shumë i lumtur për këtë titull dhe pozicion të ri, por në gjashtë muaj do të doja të rishikonim edhe pagën”. Salemi është dakord dhe thotë se kur do që të bëni bisedën rreth pagës, ju duhet ta bëni atë ballë për ballë ose në telefon, dhe jo nëpërmjet email-eve apo SMS. Ajo thotë se “përgjigjja e shefit tuaj mund të jetë një shtysë më shumë për të kërkuar një punë tjetër”.

2.Negocioni për përfitime të tjera

Përveç negocimit të pagës, Salemi thotë se ka edhe avantazhe të tjera që mund të kërkoni që do t’ju ndihmonin të shfrytëzonit sa më mirë pozicionin tuaj të ri. “Mendoni për gjithë mënyrat se si të mësoni aftësi të reja që mund t’i përfshini në CV tuaj” – thotë ekspertja. “Ndoshta nuk ka një buxhet për rritje page, por ju mund të pyesni nëse ekziston një i tillë për trajnime online apo për të udhëtuar për të marrë pjesë në konferenca në vende të tjera”.

Pavarësisht nga ajo që jeni në gjendje të negocioni, Salemi këshillon që ju duhet “të synoni gjithnjë rritjen e pagës” dhe ta mendoni të përkohshme situatën e ngritjes në detyrë pa një rritje page, e cila ju ndihmon në përmirësimin e CV-së suaj.

3.Filloni të kërkoni një punë tjetër

Nëse paga juaj nuk rritet edhe pse jeni ngritur në detyrë, Salemi këshillon se ka ardhur koha të shikoni për një punë të re. Ajo thekson që punonjësit ta përditësojnë CV e tyre dhe të japin sa më shumë detaje rreth pozicionit dhe përgjegjësive të reja. Ju mund ta shihni promovimin në detyrë si një mënyrë për t’ju përgatitur për një “punë që mund të dukej e paarritshme” në një moment të caktuar, por tani është në linjë me rrugëtimin tuaj profesional.

*Courtney Connley
Burimi: CNBC