Ka superkujtesë, ky është Shqiptari që mban rekordin e ‘të mbajturit mend’

78

Idriz Zogaj, shqiptar nga Kosova që jeton në Suedi, prej vitesh merret me sportin e kujtesës, merr pjesë në kampionate botërore, ka fituar shumë çmime dhe trajnon grupe të rinjsh për një kujtesë të fortë.

“E gjitha është teknikë, – thotë ai, – që, nëse e mëson, ia del për një super-kujtesë. Nëse truri ushtrohet me teknikat e duhura, ashtu si trupi në palestër, do ia dilni të mbani mend shifra pafund, emra, ngjarje etj”. Kampionati Botëror i Kujtesës realizohet që nga viti 1991. Prej vitit 2004 në të merr pjesë edhe një…shqiptar. Sot ai është një mësues dhe i pajisur me licencë për të hapur kurse duke krijuar grupe, konkurse e gara të ndryshme në këtë lloj sporti.

Ai është diplomuar për inxhinieri fizike, por më së shumti e njohin si ekspert i teknikave të kujtesës. Është larguar nga Kosova, vendi i tij i lindjes, në moshën 2-vjeçare. Jeton në Suedi ku edhe vazhdon pasionin e tij të madh.

Mëson të tjerët se si të përmirësojnë kujtesën e tyre dhe beson se me praktikën e duhur dhe me ushtrimet e vazhdueshme të gjithë mund të kenë një superkujtesë.

Idrizi ka përfaqësuar Suedinë në Kampionatet Botërore të kujtesës ku ka fituar edhe çmime të shumta në këtë sport. Mund të mbajë mend letrat sipas radhës duke i parë për fare pak kohë, numrat, vitet apo ngjarjet e ndryshme, ekuacionet dhe mund t’i fiksojë pa kurrfarë problemi.

Për të zotëruar një kujtesë të mirë, nevojitet stërvitje, shumë stërvitje. Por, disa teknika janë të thjeshta për t’u kuptuar dhe menjëherë mund të filloni t’i përdorni”- shprehet kampioni.