Kabineti i Informatikës ndez llambën e ëndrrave

50

Enilda dhe Esenini janë nxënës të një shkolle 9-vjeçare në periferi të Librazhdit. Si gjithë vogëlushët, ata jetojnë me ëndrra për të ardhmen. 10-vjeçarja kur të rrihet dëshiron që të bëhet mësuese informatike, ndërsa 12-vjeçarit i pëlqen inxhinieria informatike.

Jetojmë në shekullin e teknologjisë dhe në mënyrë të pashmangshme jeta jonë është e lidhur ngushtësisht me botën digjitale. Por, për shumë vite, pasioni për teknologjinë i dhjetëra nxënësve që janë ulur në bankat e kësaj shkolle është kushtëzuar nga mungesa e një Kabineti Informatike. Ata nuk kanë patur mundësi që të praktikojnë njohuritë e marra në lëndën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK), pasi shkolla e tyre nuk kishte kompjutera. Bota e pafund e teknologjisë, kufizohej në mendjet e tyre vetem me shembujt dhe informacionet që ofron libri dhe shënimet shtesë të mësuesit të informatikës.

“Më përpara ne studionim duke mbajtur shënime në fletore dhe duke mësuar në libër. Ishte e pamundur që të krijonim një ide të qartë. Tani që janë kompjuterat është më e lehtë për ne, pasi mund të praktikojmë njohuritë e fituara,” – na tregon Marjeta, e cila është në klasën e nëntë.

Të mbështetur prej 13 vitesh me trajnime dhe investime për përmirësimin e infrastrukturës dhe promovimin e kulturës gjithëpërfshirëse; drejtoria e shkollës, nxënësit dhe bordi i prindërve kishin një derë ku të trokisnin. Ata aplikuan në programin e mini granteve të World Vision dhe që prej marsit të vitit 2021, për vogëlushët e kësaj shkolle dhe brezat e ardhshëm është çelur një dritare e re. Ngritja e kabinetit të informatikës ka ndezur llambën e ëndrrave të tyre.

“Me ardhjen e kompjuterave ka ndryshuar gjithçka. Çdo gjë është e lidhur me teknologjinë. Sa më shumë mësoj rreth teknologjisë, aq më shumë më rritet dëshira që të bëhem inxhinier informatike. Për festat e fundvitit mësuam edhe se si të dërgojmë kartolina online, përmes kompjuterit,”- na tregon Esenini në klasën e gjashtë.

Kompjuterat e rinj po i ndihmojnë nxënësit të aftësohen në botën digjitale, por edhe të ‘projektojnë’ të ardhmen e tyre.

Unë kam dëshirë të bëhem mësuese informatike. Më pëlqen të merrem me kompjutera dhe të mësoj gjëra të reja,”– rrëfen Enilda, nxënëse e klasës së katërt.

Investimi iu vjen në ndihmë 90 nxënësve, ndërsa salla e kompjuterave shfrytëzohet sipas planeve mësimore. Nxënësit thonë se kanë mësuar të punojnë në disa programe si; World, Exel, PowerPoint, Opera, Firefox.

“Punimi i temave mësimore në kompjuter mundëson që nxënësit t’i përvetësojnë më lehtë dhe më shpejt njohuritë e reja. Kompjuterat janë cilësorë dhe e lehtësojnë shumë procesin,”- na tregon mësuesi i informatikës.

Përveç hapjes së kabinetit të informatikës, përmes mini granteve tona është ndërhyrë edhe në rikonstruksionin e tualeteve të shkollës, të cilat nuk ishin funksionale.

Sot shkolla është ndryshe. Ndryshe do jetë edhe e nesërmja e këtyre vogëlushëve. Në hyrje të saj, në të majtë, krah sallës së mësuesve gjendet salla e kabinetit të informatikës. Dhoma është e ngrohtë, ka dritë dhe shpresë. Me një klikim, aty nxënësit “prekin” botën dhe “thurin” plane.

Një kompjuter sot, për një të ardhme plot ëndrra.