Një nga më të bukurat në Shqipëri, Kalaja e Bashtovës do restaurohet

26

Kalaja e Bashtovës është një nga më të bukurat në Shqipëri dhe tashmë ka hyrë në programin e restaurimit, si pjesë e projektit EU4Culture.

Specialistët austriakë në terren shprehen se kalaja është ndërtuar në dy periudha dhe puna e tyre po fokusohet në të kuptuarit e strukturave, kohën e ndërtimit, materialet e përdorura.

Ata shprehen se janë marrë më shumë se 1 mijë lloje të ndryshme mostrash nga konstruksionet e ndryshme të kalasë së Bashtovës. Këto materiale do të analizohen në laboratorin shkencor të Arteve të Aplikuara në Vjenë dhe specialistët shpresojnë të marrin prej tyre më shumë informacion mbi periudhën e ndërtimit të kalasë.

E ngritur pranë fshatit të Vilë-Bashtovës në një distancë prej 3-4 km, në veri të grykëderdhjes së lumit të Shkumbinit, kalaja haset për herë të parë në një hartë detare të vitit 1521.

Kështjella është ndërtuar në shekullin XV dhe u ka shërbyer venecianëve për shkëmbime tregtare. Zona e Bashtovës është përmendur si një port lumor në Shkumbin si dhe një qendër e eksportit të drithërave. Kalaja ka trajtë katërkëndore me përmasa 60×90 metra. Pjesa perëndimore e saj është rindërtuar në shekullin XVIII. Muret e saj kanë një lartësi prej 9 metrash.

Mendohet se kjo kala ka qenë dykatëshe, ku një kat i saj është i fundosur nën sipërfaqen e tokës. Ajo që e bën Bashtovën të veçantë në krahasim me kështjellat e tjera që mund të vizitohen në Shqipëri është fakti se ajo është e vetmja kështjellë e ndërtuar në një fushë dhe jo në majë të kodrave apo maleve.