Eklent Kaçi u shpall kampion bote në sportin e bilardos në disiplinën e dhjetëshit. Bilardisti kurbinas ishte fantastik në turneun e zhvilluar në Las Vegas, duke bërë që të këndohet himni shqiptar tre herë në tre vitet e fundit.
Kaçi mposhti në finale numrin një në botë, Francisco Sanchez Ruiz, me rezultatin 10-7, dhe u bë kampion bote për të dytën herë në “10-ball”.
Një fitore mjaft e bukur e bilardistit shqiptar, me përmbysje ndaj spanjollit që konsiderohej favorit dhe që po tentonte të shkruante historinë për të fituar 3 tituj kampionë në 3 disiplina brenda një viti.
Ruiz e nisi mirë ndeshjen, pasi po kryesonte 5-1 ndaj Kaçit. Gjithsesi kurbinasi nuk u dorëzua dhe arriti të merrte 7 lojë rresht dhe në fund të festonte fitimin e titullit kampion bote, siç bëri edhe në vitin 2021. Edhe vjet ai bëri një paraqitje dinjitoze, duke marrë medaljen e bronztë.
Ky Botëror për Kaçin ishte mjaft i mirë, teksa tregoi shumë cilësi edhe në lojën në mbrojtje. Ai mposhti emra mjaft të mëdhenj në rrugëtimin e tij për të dalë kampion bote. Në çerekfinale Eklenti triumfoi kundër amerikanit Shane Van Boening, kurse në gjysmëfinale mposhti gjermanin Joshua Filler.
/lajmifundit.al