Kampionati Botëror i Shkollave: 400 shahistë nga e gjithë bota ndeshen në Shqipëri

337

Nga Alteo Hysi

“E bukura e shahut është se kjo lojë kapërcen gjuhët, moshat, racat, kombësitë, fetë, gjinitë apo kushtet. Cilado qofshin rrethanat, çdokush mund të shijojë një betejë të fortë mbi dërrasën e shahut”

Kjo shprehje e vjetër për lojën që njihet si “shkenca e mendjes” vlen veçanërisht kur jo pak, por plot 400 të rinj nga e gjithë bota, lojtarë të shahut, përballen me njëri tjetrin në “Kampionatin Botëror të Shkollave”.

Kampionati Botëror i Shkollave në Shah 2018, një aktivitet zyrtar i Federatës Botërore të Shahut, zhvillohet për herë të parë në Shqipëri në Bregdetin e Adriatikut, në Durrës. Prej datës 20 Prill deri në 29 Prill 2018, djemtë dhe vajzat nga e gjithë bota do të jenë pjesë e kampionatit që zhvillohet nën patronazhin e Federatës Botërore të Shahut (FIDE) dhe Federatës Shqiptare të Shahut( FSHSH).

Në të marrin pjesë 6 kategori nxënësish: nën 7 vjeç, nën 09, 11, 13, 15 dhe nën 17 vjeç. 400 nxënës shkollash nga 40 shtete, përfshirë India, Sri Lanka, SHBA, Mongolia mbërrijnë në Shqipëri e bashkë me shoqeruesit e tyre numri i vizitorëve shkon në 700 pjesëmarrës.

Ky Kampionat ka hyrë në rregulloren e Federatës Botërore të Shahut prej vitit 2005. Nga viti 2006 është organizuar rregullisht në vende të tjera, ndërsa këtë vit u zgjodh që të zhvillohet në Shqipëri.

Të premten e 20 Prillit u zhvillua ceremonia hapëse e këtij kampionati që sjell në vendin tonë magjinë e shahut. Gjatë ceremonisë, Zëvendës Presidenti i Federatës Shqiptare të Shahut, Erald Dervishi, falenderoi FIDE-n, Federatën Botërore të Shahut që këtë vit ia dha mundësinë Shqipërisë që të organizojë këtë event të rëndësishëm.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Shahut, Eduard Shalsi, tha se “në Shqipëri ne jemi të vendosur ta masivizojmë dhe popullarizojmë lojën e shahut sepse besojmë fort që sa më herët fëmijët të mësohen me shahun, aq më të përgatitur do të behn nesër për sfidat me të cialt do t’i përballë jeta”.

Patrick Van Holandt, Presidenti i Shoqatës Ndërkombëtare të Vëndeve Frankofone të Shahut, njoftoi se shumë shpejt do të zhvillohet në Shqipëri një tjetër event me rëndësi për shahun, Kampionati Frankofon i Shahut.

Kampionati pritet t’i shërbejë afrimit të të rinjve në këtë sport por edhe projektit për futjen e shahut në shkollat e vendit. Tashmë, 25 mësues shqiptarë janë trajnuar e licencuar nga Federata Botërore e Shahut dhe janë përgatitur ndërkaq 2 libra, për mësues e për nxënës, duke mundësuar futjen e shahut si lëndë edukative në shkolla.