Kampioni me sindromën down, Gersi renditet i 10-ti në botë si notari më i mirë

32

Me dy çmime Europiane të notit, Gersi Troka përfaqësoi Shqipërinë në Kampionatin Botëror të Notit për sportistët me Sindromën Down i cili u zhvillua ne Portugali duke u renditur ne 10-tëshen e notarëve më të mirë të botës.

Prej 12 vitesh, Gersi Troka, stërvitet për të qënë një notues sa më i zoti. Për djalin me sindromën down, orët e gjata në stërvitje ja kanë vlejtur.

“Kam marrë pjesë në kompeticione kombëtare dhe ndërkombëtare, tani isha në Portugali, u rëndita i 10-ti në botë dhe e krenova Shqipërinë’, u shpreh ai.

Gjithçka nisi si pjesë e terapisë që ai duhet të kryente. Do të ishte nëna e Gersit dhe trajnieri, ata që do të vërenin këtë talent tek 22-vjeçari.

“Që në fillim është përshtatur më shpejt me pjesën e ujit dhe të përmirësojë pjesën e teknikave të notimit. Gersi stërvitet tre herë në javë, stërvitet rreth dy orë. Ka vështirësi, nuk dua ta anashkaloj, por çdo ditë ka hapësira për përmirësim. Gersi është shumë i dashur dhe social”, theksoi trajneri i notit, Gentian Lama.

Pasioni për notin, ka rritur dhe objektivat për Gersin dhe trajnerin e tij. Kupa e radhës që kërkojnë të rrëmbejnë është ajo në Lojërat Olimpike në Berlin, vitin e ardhshëm.