“Kanionet e Holtës” një nga perlat e natyrës në Gramsh

28

Holta është një zonë turistike e pa eksploruar akoma plotësisht.

Një nga perlat dhe bukuritë natyrore në zonën e Gramshit është dhe lumi Holta me kanionet e tij të mrekullueshëm, që e nis shtrirjen e tij nga fshati Bardhan, deri në fshatin Kobash, me gjatësi rreth 3 km, ndërsa shpatet e luginës ngjiten lart deri në 100 – 150 m dhe me thellësi të ujit që shkon deri në 3 m.

Në shpatet e thepisura në rrjedhën e këtij lumi, gjenden shumë shpella karstike, që janë të vizitueshme nga natyralistët dhe aventurierët e ngjitjeve sportive.

Veç lumit me kanionet befasuese të tij, në shpatet malore të kësaj zone, gjenden pyje me drurë të rrallë panje, bredhi, pisha si dhe mjaft specie të rralla kafshësh dhe shpendësh.

Holta është një zonë turistike e pa eksploruar akoma edhe për shkak të terrenit të saj të thyer, por kjo nuk i pengon aventurierët e lartësive.

Në zonën e Gramshit, ka shumë monumente të natyrës apo dhe të historisë të antikitetit, burime natyrore si, Ujëvara e Sotirës, që vizitohen rregullisht, sidomos në stinën e ngrohtë.
Kanionet e lumit të Holtës vizitohen duke u nisur nga Gramshi-Bardhan-Kabash, një rrugë disi e vështirë për makinat e ulëta dhe ka një gjatësi rreth 18 km.

Kjo zonë dhe kjo rrjedhë lumore është një atraksion turistik për pasionantët e natyrës, të aventurës dhe historisë që mund të shfrytëzohet në çdo stinë.