Kartëmonedha e prerjes 10 000 Lekë prodhohet këtë vit

83
Pas një periudhe më shumë se 23-vjeçare dhe një pune 4-vjeçare, Banka e Shqipërisë mundësoi prodhimin e 6 serive të reja të kartëmonedhave me kurs ligjor. Ndërsa kartëmonedha e re e prerjes 10 000 Lekë prodhohet këtë vit.
Banka e Shqipërisë bën të ditur se, një nga përgjegjësitë kryesore të Bankës Qendrore është të garantojë besimin e publikut në paranë vendase Lek.
Banka qendrore e bën këtë duke emetuar një kartëmonedhë që i komunikon publikut shqiptar siguri dhe qëndrueshmëri. Kjo sepse kartëmonedhat përfaqësojnë formën më të prekshme të parasë dhe janë në shërbim të të gjithë qytetarëve.
Seria e re e kartëmonedhave përbëhet nga 6 prerje: 200, 500, 1000, 2000, 5000 dhe 10 000 Lekë. Më 30 shtator 2019, u prodhuan dhe u hodhën në qarkullim prerjet e para të serisë së re, ato 200 Lekë dhe 5000 Lekë, si dhe u mundësua prodhimi i materialeve të shtypit të kartëmonedhave të tjera të serisë, të cilat pritet të hidhen në qarkullim në vitet në vijim.
Banka e Shqipërisë e sheh kartëmonedhën edhe si një mjet komunikimi, duke
transmetuar në kohë mesazhe të identitetit tonë kombëtar, nëpërmjet shfrytëzimit
të mundësisë për të evokuar momentet më të rëndësishme të historisë dhe
për të nderuar personalitete të shquara të saj.
Seria e re e kartëmonedhave shqiptare ruan të njëjtën tematikë me kartëmonedhat ekzistuese, e cila ndjek konceptin e pasqyrimit të epokave historike, nëpërmjet paraqitjes së portreteve të personaliteteve simbol të tyre. Dizajni i kartëmonedhës së re, krahas portretit të personit, përfshin edhe elemente të tjera stilistike, të cilat lidhen me arritje të
veçanta të figurës historike të portretizuar.