Katër instrumentistët e familjes shqiptare, së bashku në Bienalen 2019

46

 Violinisti Florian Vlashi dhe familja e tij e instrumentistëve janë pjesmarrës në Bienalen e 9-të të Muzikës Klasike me titull “Muzika dhe Vena, një harmoni e përkryer”, që organizohet në Durrës nga 1-7 gusht.

Floriani me bashkëshorten violonçeliste Rediana Llukaçi, pedagoge e muzikës në Kolegjin “Esclavas” në Korunja, dhe me djemtë Danielin dhe Martinin do të jenë përsëri në Bienale, pas përfaqësimit të përbashkët në Bienalen e vitit 2015.

Floriani thotë se fëmijët u rritën mes partiturave, provave të grupit dhe tingujve muzikorë. “Do ta urrenin ose do ta dashuronin muzikën -shprehet violinisti i njohur, duke shtuar: “Për fat të mirë ndodhi e dyta”.

Pjesëmarrja e katër instrumentistëve Vlashi në Bienalet “Netët e Muzikës Klasike” dëshmon jo vetëm lidhjet e shumëfishta që kanë me muzikën, por edhe dashurinë për atdheun.

Danieli dhe Martini kanë lindur në Spanjë, por flasin një shqipe perfekte, dhe nuk mungojnë asnjëherë në udhëtimet e familjes drejt Durrësit, aty ku veç të tjerash janë edhe gjyshërit Gjergj dhe Shpresa Vlashi.

“Një pjesë të jetës e kalojmë në makinë, në rrugë për në koncertet ku na ftojnë, jo vetëm në Spanjë”, -tregon Floriani.

Katër pjesëtarët e familjes Vlashi, që jeton e punon prej 27 vjetësh në Korunja (Spanjë), do të interpretojnë si instrumentistë në koncerte të ndryshme të veprimtarisë që ka nisur dje dhe që do të vijojë për 7 ditë radhazi.

Martini 15-vjeçar ka zgjedhur rrugën e së ëmës në violonçel. Fitues i dy konkurseve ndërkombëtare, një prej të cilëve në Vigo, Martini ka qenë violonçel i parë në Orkestrën e fëmijëve të Sinfonikes së Galicisë, ndërsa ka interpretuar disa herë si solist me grupin “Camerata Brigantina”. 

Danieli tashmë është 22 vjeç dhe në rrugën artistike ka shënuar sukseset e para. Mësimet e violinës i morri nga i jati, ndërsa në moshën 8 vjeçare interpretoi në koncertin e parë si solist.

Pas studimeve në Konservatorin e Korunjas, ai fitoi të drejtën të studiojë në Konservatorin kombëtar tëmuzikës dhe dancit në Lion (Francë), ndërsa do të fillojë specializimin master në Shkollën Superiore të Muzikës “Hanns Eisler” të Berlin-it. Danieli ka fituar disa çmime në konkurse si solist i “Quatuor Confluence”, kuartet që e ka themeluar vetë. Ai punon rregullisht me Orquesta Sinfónica de Galicia edhe me Opera de Lyon, me dirigjente si D. Slobodeniouk, E. Inbal, R. Gamba ose O. Tausk dhe është anëtar i Grupo Instrumental Siglo XX.

Florian Vlashi, 10 vjet pasi u largua drejt Spanjës nisi “aventurën” e Bienales muzikore, që e organizon çdo dy vjet në qytetin e tij të lindjes.

I formuar në shkollat e Durrësit dhe Tiranës si violinist ai ka një karrierë të njohur brenda dhe jashtë Spanjës me koncertet solistike.

56-vjeçari nga Durrësi, violinist në Orkestrën Sinfonike të Galicisë, është bërë shumë i njohur në gadishullin Iberik për themelimin dhe drejtimin e Grupit Instrumental “Shekulli XX”, me të cilin së bashku me instrumentistë nga 16 vende të botës interpreton vetëm muzikë të autorëve bashkëkohorë. 

E gjithë familja Vlashi do të interpretojë për herë të dytë së bashku në një veprimtari të organizuar në Shqipëri.