Keni ide për sipërmarrje sociale? Si të aplikoni për fondin 20.6 mijë euro deri më 4 shkurt

66

Është hapur zyrtarisht thirrja e fundit për grante, në kuadër të skemës së granteve të projektit EMBRACE – Modele Sipërmarrjeje që Ndërtojnë Marrëdhënie dhe Ekonomi Krijuese” për këtë vit. Ky projekt i financuar nga organizata italiane Project Ahead dhe Bashkimi Evropian, nëpërmjet Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, u ofron mundësi të gjithë OJF për të aplikuar për fondin deri në 20.6 mijë euro.

Sipas njoftimit të autoritetit kontraktues, nëpërmjet kësaj thirrjeje do të financohen deri në 3 projekte, kohëzgjatja e zbatimit të granteve është minimumi 9 muaj dhe maksimumi 12 muaj, buxheti total i projekt propozimeve për çdo grant të kërkuar nëpërmjet kësaj thirrje duhet të jetë minimumi 3000 euro dhe maksimumi 7000 euro.

Projekti “EMBRACE – Modele Sipërmarrjeje që Ndërtojnë Marrëdhënie dhe Ekonomi Krijuese”, synon të kontribuojë në zhvillimin e ekonomisë sociale që nxit zhvillimin gjithëpërfshirës në vend. Objektivi Specifik i kësaj Thirrje për Projekt Propozime është: Mbështetja e ngritjes dhe zhvillimit të ideve të reja të sipërmarrjes sociale ose fuqizimi i ideve ekzistuese, të cilat kontribuojnë në përfshirjen sociale, përmes integrimit dhe punësimit, dhe zhvillimit ekonomik të komunitetit lokal.

Kush mund të aplikojë?

Të gjitha organizatat e shoqërisë civile që plotësojnë kriteret e vlefshmërisë të përcaktuara në Udhëzuesin për Aplikantët dhe që kanë për objekt të aktivitetit të tyre zhvillimin socio-ekonomik të komuniteteve lokale, mobilizimin e punës dhe ekspertizën e burimeve lokale, kohezionin social, lidhjen e njerëzve me komunitetin, integrimin dhe punësimin, veçanërisht të njerëzve me aftësi të kufizuar.