Kepi i Rodonit, një thesar në Adriatik

47

Kepi i Rodonit është një tjetër perlë e Adriatikut që fton të gjithë pushuesit për të shijuar jo vetëm plazhin e mrekullueshëm, por edhe historinë që mbart ky vend.

Jo vetëm riviera e Jonit në jug të Shqipërisë, por edhe Adriatiku ofron thesare plot bukuri dhe histori për t’u shijuar nga të gjithë vizitorët vendas e të huaj.
Një prej tyre është edhe Kepi i Rodonit, me kalanë e ndërtuar buzë detit nga Skënderbeu, Kishën e Shna Ndout që njihet si “kisha e mrekullive”, panoramën mahnitëse dhe plot atraksione që e bëjnë këtë zonë ndër më të preferuarat në hartën turistike të Adriatikut.

Kepi i Rodonit ka formën e një trekëndëshi midis gjirit të Rodonit e atij të Lalëzit, formon një rrip toke në formë gadishulli që futet në brendësi të detit Adriatik.

Ky xhevahir i natyrës është një vend jashtëzakonisht interesant mbi të gjitha për vendndodhjen e tij piktoreske: një kep shkëmbor që shtrihet drejt detit, formuar nga shkëmbinjtë e rrethuar me bimësi mesdhetare dhe lule aromatike.

Në këtë vend çdo vizitor gjen të ndërthurur më së miri historinë, me natyrën dhe detin. Në pjesën verilindore të Kepit ndodhet një ndër objektet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, Kalaja e Skënderbeut.

/ata.gov.al