Këshilla nga mjekët: Ja si të mbroni fëmijët nga i nxehti i verës

21

Foshnjat dhe fëmijët janë më të ndjeshëm ndaj efekteve të temperaturave të larta për shkak se metabolizmi i tyre ndryshon nga metabolizmi i të rriturve, qendra e rregullimit të temperaturës është e papjekur, aftësia për djersitje është më e pakët, masa e trupit është e vogël.

Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik rekomandojnë që:

  • Fëmijët nuk duhet të ekspozohen në diell nga ora 10.00-17.00
  • Fëmijët duhen larë me ujë të vakët
  • Kur ka puçrra lëkura duhet tharë lehtësisht me peshqir
  • Temperaturat e dhomës të mos jenë të larta dhe ajri të qarkullojë.
  • Kremrat mbrojtës duhet të jenë në përshtatje me fototipin e lëkurës së fëmijës dhe fortësinë e rrezeve ultraviolet. Sa më e bardhë të jetë lëkura e fëmijës aq më i lartë duhet faktori mbrojtës por gjithnjë me numër mbi 15.
  • Përsërisni disa herë lyerjen me produkte mbrojtëse të lëkurës sidomos mbas larjes, djersitjes apo fshirjes me peshqir.
  • Duhet tu jepen lëngje frutash, ujë natyral i pastër, si dhe supë zarzavatesh, pavarësisht nëse ka apo jo bark edhe të vjella
  • Duhet t’u jepen ushqime të lëngshme, të gatuara në moment dhe jo të ushqime të mbetura.
  • Në shtëpi të qëndrojnë në ambiente të freskëta në temperaturë deri 25 gradë celsius e me lagështi normale
  • Mos i lini asnjëherë fëmijët të futen në ujë pa mbikëqyrje.
  • Asnjëherë mos i lini fëmijët vetëm në makinë.
  • Asnjëherë mos i lini fëmijët të flenë në makinë.
  • Ambientin ku banoni mbajeni sa më të freskët të jetë e mundur.

Goditja nga dielli mund të quhet më drejte goditja nga i nxehti, pasi jo domosdoshmërisht një person tek i cili zhvillohet kjo gjendje ka qenë i ekspozuar ndaj diellit. Ajo është një gjendje jo shumë e zakonshme, por nga ana tjetër shumë serioze, me një normë vdekshmërie prej 20%.

Tipari më i rëndësishëm i goditjes nga i nxehti është temperatura jashtëzakonisht e lartë e trupit, viktima ka ndalim të procesit të djersitjes duke mos qenë ne gjendje të eliminojë nxehtësinë e tepërt të trupit të grumbulluar gjatë aktivitetit fizik.

Nëse temperatura e trupit rritet së tepërmi, truri, veshkat dhe mëlçia mund të pësojnë dëmtime të përhershme. Ndonëse goditja nga i nxehti prek kryesisht personat mbi 50 vjeç, ajo gjithashtu shkakton probleme tek individë të rinj të cilët merren me aktivitet fizik për një periudhë kohore të zgjatur.