Këshilla për një intervistë pune

76

Në një intervistë pune, me siguri do t’ju duhet t’i përgjigjeni pyetjes: “Përse e dëshironi këtë punë?”.

Krahasuar me gjithë pyetjet e tjera sfiduese që do t’ju ngacmojnë trurin, kjo është më e mira, që mund ta përdorni në avantazhin tuaj, nëse i përgjigjeni në mënyrën e duhur.

Në nivelin më elementar, një punëdhënës kërkon të njohë motivin e punëkërkuesit për një punë të caktuar. Menaxheri dëshiron të dijë nëse kandidati e dëshiron vërtet këtë pozicion pune.

Ai do që të kuptojë nëse punëkërkuesi është në kërkim të një pune të re, me qëllim që të largohet nga një situatë negative te puna aktuale, nëse është i interesuar vetëm për pagën apo nëse kërkon në mënyrë egoiste këtë pozicion pune, me qëllim që të ketë emrin e kompanisë në CV apo në profilin e LinkedIn.

Kur një intervistues ju pyet se pse e dëshironi këtë pozicion të caktuar, në të vërtetë ai po ju thotë: “Ky është shansi juaj për të më bindur se ju jeni personi i duhur për këtë pozicion”. Duke e parë pyetjen në këtë këndvështrim, ju do të krijoni një ide për të dhënë një përgjigje.

Ju duhet të tregoni detaje specifike se si përvoja juaj, talenti, interesat, arsimimi dhe cilësi të tjera ju bëjnë të denjë për atë pozicion pune dhe do t’i jepni vlerë kompanisë. Përgjigjuni duke thënë se kjo punë do t’ju sfidojë intelektualisht dhe se do t’ju jepet mundësia të rriteni në karrierë, duke krijuar vlerë për kompaninë. Jepni arsye të forta se pse kompania duhet t’ju zgjedhë ju, ndër të cilat kultura e kompanisë, reputacioni i saj, aftësia për t’u rritur në karrierë dhe çdo detaj tjetër të vlefshëm për të cilin dëshironi të punoni aty.

Qëndroni larg përgjigjeve të përgjithshme, standarde, të cilat do t’i japin të gjithë. Kjo është mundësia për të qenë vetvetja dhe të flisni me zemër. Tregohuni entuziastë, dinamikë, të angazhuar dhe të motivuar. Nëse i thoni këto gjëra në mënyrë monotone dhe të mërzitshme, drejtuesi i Burimeve Njerëzore nuk do të tregojë aspak interes, por nëse flisni me pasion dhe i entuziazmuar, ju do të tërhiqni vëmendjen e tij.
Ju duhet të jeni autentik gjatë intervistës. Mundësia për të pasur sukses do të rritet ndjeshëm nëse zotëroni përvojën e duhur për këtë pozicion pune dhe nëse jeni vërtet i interesuar për të punuar në këtë kompani. Në të kundërt, përgjigjet tuaja do të tingëllojnë boshe nëse ju nuk jepni arsyet e duhura.

Nëse një kandidat është gjysmë i interesuar, ai do ta humbë betejën përballë një kandidati vërtet të pasionuar.

Më poshtë janë disa truke se si t’i përgjigjeni kësaj pyetje:

-Përgëzoni intervistuesin dhe kompaninë për reputacionin e saj, produkteve dhe shërbimeve që ofrojnë.

-Artikuloni qartë se pse ju jeni personi i duhur për këtë pozicion pune

-Ju duhet të thoni se aftësitë, përvoja, arsimimi juaj dhe personaliteti përputhen me përshkrimin e punës.

-Thoni me bindje se pse kjo punë do t’ju ndihmojë që të rriteni në karrierë.

-Jepni arsyet se pse kompania do të përfitonte nëse do t’ju punësonte ju dhe anasjellas.

-Jepni shembuj të ndryshëm se si do të ndihmoni kompaninë.

Burimi: Revista Monitor