Këshilla/ Si të shmangni dehidratimin e lëkurës dhe flokëve në verë

22

Një nga problemet shqetësuese që hasim në stinën e verës është rreziku për dehidratim në lëkurë dhe në flokë. Nuk janë të pakta rastet kur ndiejmë se i kemi flokët si kashtë apo lëkurën tepër të thatë. Mos kujtoni se i gjithë faji është i diellit, jo! Ka një sërë faktorësh verorë të cilët ndikojnë, madje mund edhe të na e përkeqësojnë shkallën e hidratimit në lëkurë e flokë.

Ja nga se duhet të tregoni kujdes:

Ajri i kondicionuar

Ajri që prodhon kondicioneri është veçanërisht i thatë dhe mund të shkaktojë një dehidratim të shtresës sipërfaqësore të epidermës dhe flokëve. Shmangeni sa herë që të keni mundësi.

Era

Ditët me erë nuk janë edhe aq të rralla në verë. Ky faktor atmosferik ndikon ndjeshëm mbi flokët tona duke shkaktuar thatësirë si dhe duke krijuar ndarje tek majat.

Ekspozimi në diell

Rrezet diellore ndikojnë në nxirjen e lëkurës dhe hapjen e ngjyrës së flokëve, por sa keq që janë edhe faktor kryesor i thatësirës dhe dehidratimit të tyre. Shmangni ekspozimin për një kohë të gjatë në diell, sidomos gjatë orëve të mesditës.

Kripërat

Ka disa persona të cilëve u pëlqen ndjesia e kripës në flokë. Megjithatë, kripa që përmban uji i detit i dëmton së tepërmi flokët, i than dhe shkakton plasaritje në skalp.

Klori

Tregoni kujdes edhe në pishinë. Veprimi i klorit në kontakt me flokët tuaj i dobëson ato, madje është edhe faktor acarrimi për lëkurat e ndjeshme.

Bojërat

Nëse i lyeni flokët rregullisht, sidomos me ngjyra të hapura, ju duhet ta dini mirë se rrezikoheni prej flokut të thatë në maja e në skalp, pranë rrënjës. Në verë, ky problem ka tendencën të zgjerohet prandaj ju këshillojmë të përdorni ngjyra më të ëmbla e delikate, të buta, por që ta realizojnë mbulimin e thinjave.

Djersitja

Temperaturat e larta e detyrojnë trupin të djersitet. Kur kjo ndodh, na duhet të kompensojmë organizmin duke pirë sa më shumë ujë e lëngje për të shmangur tharjen e lëkurës dhe flokëve. Duhet të tregojmë kujdes edhe pas përfundimit të plazhit, në muajin shtator.