Këto janë llojet më të mira të mjaltit që gjenden në Shqipëri – Vlerat shëndetësore

79

Shqipëria njihet për mjaltin e saj me vlera të jashtëzakonshme shëndetësore. Nga veriu në jug, llojet e tij ndryshojnë, por cilësia është absolute.

Në këtë artikull të shkurtër do njiheni me llojet më të mira të mjaltit që gjenden në Shqipëri dhe disa nga vetitë speciale të mjaltit.

Mjalti i Zadrimës

Zadrima në veri të Shqipërisë (rajoni i Lezhës) ka kushte të shkëlqyera klimaterike për bletarinë, ndaj dhe është e përhapur në të gjithë zonën. Mjalti më i njohur është ai i sherebelës, i cili vjen nga dy zona kodrinore dhe prodhohet mes muajit maj dhe qershor.

Mjalti i Pukës

Mjalti që prodhohet në Pukë ka vlera të larta ushqyese, si pasojë dhe e natyrës dhe diversitetit të bimëve medicinale që gjenden në zonë. Këto specifikime e pozicionojnë shumë mjaltin e Pukës në tregun e Durrësit dhe të Tiranës.

Mjalti i Malit (Tropoja/Korça)

Ky është një mjaltë që ka një reputacion të lartë në Shqipëri. Prodhimi i mjaltit është një zgjidhje për shumë ferma të vogla që ndodhen në zonat malore, të cilat nuk kanë shumë mundësi që ta zgjerojnë prodhimin e tyre agrikulturor dhe të shkojnë në treg. Objektivi kryesor i bletarëve të këtyre zonave është që të rrisin prodhimin, jo vetëm për tregun vendas, por edhe për eksport, duke qenë se çmimi i një mjalti të çertifikuar pothuajse dyfishohet.

Mjalti i Gështenjave nga Tropoja

Ky mjaltë mblidhet në pyjet e Tropojës, ku karakteristikat e alpeve shqiptare kontribuojnë në freskinë dhe në shijen e veçantë dhe të ëmbël të kombinuar me të hidhur. Karakteristikë është ngjyra e thellë e këtij mjalti. Mjalti i gështenjave ka një potencial të madh suksesi në tregun e Tiranës, Elbasanit dhe Durrësit si dhe në tregun ndërkombëtar.

Mjalti i Himarës

Ky mjaltë mblidhet në pyjet e shpateve të Llogarasë, por edhe më tej, nga Palasë e deri në Borsh. Bimësia e zonës, pasuria e madhe e luleve dhe aromave, kombinuar me klimën detare dhe malore, e bëjnë këtë mjaltë shumë të kërkuar në të gjithë vendin.

Mjalti i Përmetit

Njëra nga shumë vlerat e përmetarëve është krenaria e tyre dhe kujdesi për cilësinë. Mjalti është një nga shumë produktet me të cilat përmetarët mburren dhe me të drejtë.

Flora, karakteristikat gjeografike, relievi i zonës së Përmetit është një garanci cilësie, sidomos nëse përmendim Mjaltin e Malëshovës. Por sasia e prodhuar e këtij mjalti është shumë e kërkuar në të gjithë Shqipërinë dhe shitet në mënyrë të menjëhershme sapo prodhohet.

Mjalti i Maleve të Gjirokastrës

Kullotat malore të rajonit të Gjirokastrës janë një bazë e mirë natyrale që siguron një mjaltë me vlera të shëndetshme. Mjalti i maleve dhe vargmaleve të Gjirokastrës mbulon nevojat e popullsisë përreth dhe arrin edhe tregjet e qyteteve kryesore.