Kia EV6 GT modeli i ri më i mirë i kompanisë

0

Kia ka konfirmuar se ka mbyllur mundësinë e porosive për modelin Stinger, duke i hapur kështu rrugë shitjes së makinës tërësisht elektrike Kia EV6, makinës më të fuqishme që Kia ka prodhuar ndonjëherë, e cila do të jetë pasardhësi i Stinger për sa i përket modeleve flagship të kompanisë.

I fuqizuar nga një motor 3.3 litra twin-turbocharged V6, Stinger ishte makina me nisjen më të shpejtë nga Kia, duke arritur shpejtësinë 100km/h nga qetësia në 4.9 sekonda.

Stinger ishte gjithashtu një makinë ikonike për Kia. Performanca e lartë, rrotat e pasme aktive dhe pamja sportive shërbyen si një deklaratë e fuqishme për qëllimin e Kia, duke luajtur një rol tepër të rëndësishëm në transformimin e perceptimit rreth kompanisë.

Gati për ta zëvëndësuar këtë makinë është modeli i ri më i mirë i kompanisë, Kia EV6 GT, tërësisht elektrik me zero emëtime, që pritet të vijë drejt konsumatorëve në Evropë para fundit të këtij viti. Modeli i ri jo vetëm që i merr kurorën Stinger-it si makina më e shpejtë Kia, që arrin shpejtësinë 100km/h nga qetësia në vetëm 3.5 sekonda, por është gjithashtu makina më e fuqishme që Kia ka prodhuar ndonjëherë, me dy motorët elektrikë që prodhojnë fuqi prej 430kW.

EV6 GT është i bazuar në platformën Electric Global Modular Platform (E-GMP), e dizenjuar për të “strehuar” fuqinë e konsiderueshme elektrike të makinës. Me një motor të fuqishëm në secilin aks dhe baterinë long-range 77.4kWh të vendosur nën kabinë, EV6 GT ofron hapësirë të madhe në pjesën e brendshme. Me një autonomi prej 424km (WLTP të kombinuar), makina krenohet gjithashtu me teknologjinë e karikimit të shpejtë 800V, që mundëson karikimin nga 10-80% në vetëm 18 minuta.

Kia do të plotësojë të gjitha porositë ekzistuese për Stinger, dhe do të ofrojë kujdes të plotë për të gjithë pronarët e modeleve Stinger. Tashmë porositë për EV6 GT kanë nisur përmes rrjetit të përfaqësuesve të Kia në Evropë dhe porositë e para do të nisin të dorëzohen para fundit të vitit 2022.

businessmag.al