Në Sarandë nisi aktiviteti kinematografik “Open Cinema” i cili mbrëmë pati shfaqjen e parë dhe që do të vazhdojë për tri netë rresht.
Ky është sezoni i 7-të i këtij aktiviteti i quajtur ndryshe “Kinemaja shëtitëse nëpër Shqipëri”. Filmat e fundit të kinematografisë shqiptare dhe jo vetëm, emra të njohur të skenës dhe ekranit, yjet e këngës dhe muzikës shqiptare, do të performojnë para ekranit të madh të kinemasë. Qytetarët e Sarandës por edhe vizitorët e shumtë që gjenden aty në këtë sezon veror, do të përjetojnë çaste magjike që do të sjellë ky show kinematografik.
“Open Cinema” vjen përmes financimit të Ministrisë së Kulturës, Qendrës Kombëtare Kinematografike, Bashkisë Sarandë si edhe Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, i cili siguron materiale arkivore siç janë filmat e vjetër shqiptarë që ngjallin nostalgji tek shikuesit.
Kinemaja shëtitëse nisi rrugëtimin e saj me shfaqjen e filmit të Herion Mustafarait, “Çkrepja”, me interpretimin e emrave të njohur si Bujar Asqeriu dhe Lulzim Zeqja.
/ata.gov.al